Investimet me financim të huaj, 60% më të ulëta
Edhe këtë vit financimet nga buxheti i shtetit kanë qenë në nivele më të larta se ato me financim të huaj. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave shpenzimet kapitale deri në fund të shtatëmujorit 2009 janë realizuar në nivelin 97 për qind të parashikimit të periudhës ose rreth 57 për qind të planit vjetor. Brenda këtyre shpenzimeve, investimet me financim të brendshëm janë realizuar në masën 99.92 për qind me një mosrealizim prej 37 milionë lekë, ndërkohë që investimet me financim të huaj janë realizuar në masën 83.36 për qind të parashikimit të periudhës ose me një mos realizim prej rreth 1.7 miliardë lekë. Në krahasim me planin vjetor, këto investime janë realizuar respektivisht rreth 61.57 për qind dhe rreth 38.59 për qind. Krahasuar me vitin e kaluar, investimet e brendshme rezultojnë rreth 34.5 miliardë lekë më të rritura, ndërkohë që investimet me financim të huaj rezultojnë rreth 12.7 miliardë lekë më të ulëta ose rreth 60 për qind më pak. Për rrjedhojë, investimet në total në fund të shtatëmujorit 2009 janë rreth 63 për qind më të larta ose rreth 21.8 miliardë lekë më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo rritje në raport me vitin e kaluar është kryesisht për shkak të vazhdimit të punimeve në rrugën Rrëshen-Kalimash, që këtë vit financohet nga burimet e brendshme. Vitet e fundit kjo rrugë ka marrë pjesën më të madhe të fondit për investime, por jo vetëm kaq, për ndërtimin e kësaj rruge qeveria ka marrë edhe hua në tregun e huaj.