Shkodër, shmang kafshët, përplasen mjetet
SHKODER - Dy automjete të dëmtuara dhe 4 të plagosur është bilanci i një aksidenti të ndodhur paraditen e djeshme në aksin rrugor Velipojë-Shkodër. Sipas hetimeve paraprake mësohet se përplasja e dy automjeteve, një "Ford" me targa të huaja dhe një "Benz"-i me targa të Shkodrës, ka ardhur gjatë një tentative të njërës prej makinave për t'iu shmangur kafshëve që lëviznin në këtë aks rrugor. Sipas burimeve të policisë, aksidenti ndodhi në afërsi të fshatit Bërdicë e Poshtm. Njëri prej drejtuesve ka dashur të shmangë përplasjen me kafshët që qarkullonin lirshëm në aksin rrugor nacional Shkodër-Velipojë. Gjatë kësaj tentative, mjeti tip "Ford" ka dalë në krahun e kundërt të lëvizjes dhe është përplasur me një automjet tip "Benz" që po lëvizte në krahun e tij. Për pasojë të katër personat kanë marrë plagë të lehta, ndërsa janë dëmtuar mjetet. Kalimi i kafshëve në rrugën kryesore të Velipojës ka qenë një ndër shqetësimet që ngriti kryetari i komunës gjatë sezonit turistik. r.d