“Kush ka frikë nga Virxhinia Ulf” çel sezonin
“Kush ka frikë nga Virxhinia Ulf”, titullohet premiera që do të rikthejë artistët dhe publikun në sallën e Teatrit Kombëtar në Tiranë pas pushimeve të sezonit veror. Vepra shikon si protagonistë aktorin e njohur Ndriçim Xhepa dhe Luiza Xhuvanin, e gjithashtu, Eftiola Laçkën dhe Helidon Finon. Regjia, kësaj here i përket regjisorit të ri e të talentuar nga Maqedonia, nxënësit Slobodan Umkovskit, Kushtrim Bekteshi. Shfaqja i përket dramaturgut amerikan Edeard Albi dhe hyn ndër veprat më të njohura të tij. Ndonëse titulli i dramës përmend Virxhinia Ulfin, subjekti nuk ka të bëjë shumë me autoren e njohur britanike, e cila ka qenë një aktiviste e të drejtave të gruas dhe emancipit të saj në shoqëri. Në fakt, kjo pjesë trajton femrën e vendosur në mjedisin familjar, në luftë me të përditshmen, problemet, marrëdhënien me bashkëshortin si dhe dyshimet që lindin në këtë raport. Për më tepër detaje sa u takon gjetjeve, skenografisë, inskenimit, aktorëve dhe regjisë do të shkruajmë sërish gjatë ditëve në vijim, kur protagonistët e kësaj pjese do të prononcohen mbi shfaqjen dhe impaktin që ajo pritet të shkaktojë.
Ekspozita
“Polonia 1939 - 1989”
Një ekspozitë e veçantë e titulluar “Polonia 1939 – 1989”, propozohet që të çelet nesër me rastin e 70-vjetorit të fillimit të Luftës së Dytë Botërore. Ekspozita që do të përmbajë dokumente dhe materiale fotografike e filmike i kushtohet luftës së Polonisë për liri e demokraci. Ajo do të hapet në Qendrën Kulturore të Forcave të Armatosura në kryeqytet nga Ambasada e Republikës së Polonisë në Tiranë. Kujtojmë këtu se, pushtimi i Polonisë nga Gjermania, ka qenë dhe një ndër sirenat e para të alarmit të një lufte me përmasa të papara deri atëherë, e cila më pas do të trondiste të gjithë botën me rrezikun e pushtimit fashist, kampet e përqëndrimit, bombardimet dhe masakrat e shumta.
1 Shtator 2009