E Shtunë, 31 Tetor 2026

15 vjet Shengen

Më 26 mars 1995 hyri në fuqi Marrëveshja e Shengenit, pasi ajo u nënshkrua nga pesë vendet kryesore të BE-së: Belgjika, Gjermania, Franca, Luksemburgu dhe Holanda. Që atëherë hapësira pa viza e Shengenit u zgjerua duke përfshirë të gjithë anëtarët e BE-së, me përjashtim të Britaninë së Madhe dhe Irlandës - që votuan për të mos iu bashkuar Shengenit

Përmes një procesi gradual në 15 vitet e fundit, Europa u bë një kontinent pa kufij të brendshëm. Më 26 mars 1995 hyri në fuqi Marrëveshja e Shengenit, pasi ajo u nënshkrua nga pesë vendet kryesore të BE-së: Belgjika, Gjermania, Franca, Luksemburgu dhe Holanda. Që atëherë hapësira pa viza e Shengenit u zgjerua duke përfshirë të gjithë anëtarët e BE-së, me përjashtim të Britaninë së Madhe dhe Irlandës - që votuan për të mos iu bashkuar Shengenit - si dhe anëtarëve relativisht të rinj, Qipros, Bullgarisë dhe Rumanisë.

Përveç 22 vendeve anëtare të BE-së, hapësira e Shengenit përfshin vendet jo anëtare Norvegjinë, Islandën dhe Zvicrën. Zvicra është anëtari i fundit që iu bashkua, në fund të vitit 2008.

Me përjashtim të kontrollove të rastësishme policore në aeroporte, stacione trenash dhe autostrada, kontrollet kufitare ndërmjet shteteve të Shengenit nuk ekzistojnë më, gjë që ka eliminuar një barrë të madhe vështirësish për udhëtarët në Europë. Por, ky nuk është aspekti i vetëm pozitiv. Daniela Kietz e institutit gjerman për politikën e jashtme dhe të sigurisë thotë se efekti më i rëndësishëm i Shengenit dhe që harrohet është se ai ka qenë "motori i integrimit evropian", duke bërë të nevojshme një sërë masash në sfera të tjera politike.

"Heqja e kufijve të brendshëm ka bërë absolutisht të domosdoshme në mbarë BE-së masat në fushat e emigracionit, azilit dhe politikën e bashkëpunimit. Pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes, shtetet anëtare të Shengenit nuk mund të kontrollonin më rrymat e emigracionit, apo të azilit në vendet e tyre. Për të balancuar këtë duheshin ndërmarrë masa në mbarë BE, si pjesë të një politike gjithëpërfshirëse emigracioni," i tha Kietz Deutsche Welles.

Megjithatë, megjithëse Shengen ka ndihmuar për integrimin e BE-së, ai e ka ndërlikuar mjaft çështjen e emigracionit në tërësi, thotë Kietz.

"Gjermania dhe shtetet e tjera anëtare nuk mund të kontrollojnë më se kush hyn në territoret e tyre, qoftë legalisht, qoftë ilegalisht. Emigrantët ilegalë, që hyjnë në zonën e Shengenit, mund të lëvizin padyshim më të lirë brenda BE dhe kjo ka çuar në fenomenin e bërjes pazar, por që ka synim kërkimin e azilit.

Emigrantët ilegalë shkojnë në vendet që kanë standardet më të larta apo ku do të kenë shanset më të mira që t'u pranohet azili, gjë që ka bërë që disa shtete anëtare të BE të duhet të përballojnë pesha më të mëdha në çështjen e azilit sesa të tjerët", thotë Kiez. Një nga frikët më të mëdha, që lidheshin me marrëveshjen e Shengenit, është se ajo do të çonte në një reduktim të përgjithshëm të sigurisë dhe në rritjen e përqindjes së krimeve në shtetet e BE-së.

Për çudi, megjithatë, kjo nuk ndodhi. Asnjë nga shtetet e Shengenit nuk ka raportuar shtim të nivelit të kriminalitetit pas hyrjes në hapësirën pa kufij.

"Kjo ka të bëjë në radhë të parë me faktin se forcat e policisë së shteteve të Shengenit kanë kooperuar intensivisht me njëra tjetrën gjatë 10 vjetëve të fundit. Gjermania, për shembull, ka marrëveshje për bashkëpunimin policor me të gjitha shtetet anëtare, me qëllim që të bashkëpunojë në mënyrë efikase që asnjë vend të mos lihet i veçuar", tha Kiez.

Michele Cercone, zëdhënës i departamentit për çështje të brendshme të Komisionit Europian, tha për Deutsche Wellen se "zbatimi korrekt" i marrëveshjes së Shengenit ka qenë një prej qëllimeve kryesore të politikës së brendshme europiane. Ai theksoi balancën ndërmjet "lirisë së lëvizjes për të gjithë njerëzit brenda zonës së Shengenit" dhe domosdoshmërisë për një "nivel sigurie për sa u përket kufijve të jashtëm të BE" si një objektiv i veçantë i marrëveshjes së Shengenit. "Vështirësitë kanë qenë që në fillim dhe unë duhet të them se 15 vjet më vonë mund të pohojmë qartë se kjo ishte një histori suksesi," tha Cercone. (DW)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›