E Shtunë, 31 Tetor 2026

150 kosovarë në ditë aplikojnë për dokumente serbe

Nga Express më 24 janar 2011 në ora 14:03

Administrata e qytetit të Vranjës merr për çdo ditë rreth 150 aplikacione nga qytetarët e Kosovës për dokumente personale serbe.

Shumica prej tyre janë shqiptarët ka thënë shefi i kësaj administrate Nebojsa Ljubic.

Qyteti jugor serb ka ende katër regjistra për katër komuna të Kosovës. Të dhënat janë vendosur në Vranje pas përfundimit të luftës në vitin 1999.

Administrata lokale thotë se viteve të fundit, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ka shumë qytetar shqiptarë nga Gjilani, Novo Bërda, Vitia dhe Kamenica që aplikojnë për dokumente serbe.

Qytetarët, të cilët janë banorë të këtyre qyteteve marrin certifikata të lindjes, banimit dhe të nënshtetësisë – të gjitha këto dokumente që nevojiten për një pasaportë serbe.

“Ne pranojmë 150 kërkesa ditore nga këto komuna për këto dokumente, shumica e të cilëve nuk janë serb apo romë, por janë shqiptarë të cilët dëshirojnë të kenë dokumente identifikuese serbe si letërnjoftim dhe pasaportë dhe për këtë marrin dokumentet e nevojshme që lëshohen nga ne,përderisa aplikacionet e tyre i pranon Beogradi”, ka shpjeguar Ljubic.

Ai po ashtu ka thënë se të gjithë qytetarët e Kosovës që kanë lindur para vitit 1999 kanë të drejtë të marrin këto dokumente dhe ka shtuar se edhe qytetarët që kanë dokumente të UNMIK’ut mund të marrin dokumentet e kërkuara.

Për shkak të vlugut të madh administrata e qytetit të Vranjës ka hapur edhe një zyre speciale në mënyrë që të jep dokumentet e kërkuara nga shqiptarët e Kosovës. (B92)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›