E Shtunë, 31 Tetor 2026

Varret e gabuara

Për shumë vjet kanë vajtuar mbi varret e gabuara, duke menduar se janë të familjarëve të tyre. Varrimet e shpejta, pa metodat e ADN’së dhe, më pas, zhvarrimet shkel e shko, i kanë vënë në siklet disa familje të personave të zhdukur. Mungesa e laboratorit për analiza të ADN’së e vonon procesin e identifikimit më të shpejtë të eshtrave. Në frigoriferët e Mjekësisë Ligjore gjenden rreth 400 mbetje mortore, që ende nuk dihet të kujt janë. Nga Nexhmije Ahmeti më 23 janar 2011 në ora 09:01

Një gropë gati e rrafshuar gjendet në mesin e shumë varreve. Por kjo gropë, e cila deri para tre muajsh ishte varr, nuk është si të tjerat.

Gropa gjendet në lagjen Musa, në fshatin Bajgorë të Mitrovicës, në mesin e varreve të tjera, ku fshatarët e lagjes varrosin të afërmit e tyre që lënë këtë botë.

Këtë gropë, Xhafer Musa, banor i fshatit, ka tre muaj që vazhdimisht e viziton.
Në fakt, Xhaferi e ka bërë të njëjtën vizitë vazhdimisht për njëmbëdhjetë vjet me radhë. Por, gjithçka ka ndryshuar për të dhe familjen e tij, tre muaj më parë.

Ai mendonte se aty e ka të varrosur nënën e tij, Hamiden rreth 75 vjeç, e vrarë nga serbët gjatë luftës në vend. Por, trupi i pajetë që mendohej se ishte i Hamides, është zhvarrosur para tre muajsh. Tash varri ka mbetur hapur. Xhaferit ende nuk i është kthyer asnjë përgjigje nga Instituti i Mjekësisë Ligjore që i ka marrë eshtrat për t’i identifikuar. Dyshohet se kufoma, të cilën Xhaferi e kishte varrosur duke menduar se është e nënës së tij dhe e kishte qarë për njëmbëdhjetë vjet, është e dikujt tjetër, më saktë e një fëmije.

“Kam menduar se është nëna ime, e kam varrosur tri javë pasi ishte masakruar në fshatin Tërrnavc të Skënderajt. Kufoma ishte e dëmtuar... kam besuar se është nëna ime, bazuar në rroba”, tregon Xhafer Musa.

Identifikimin e nënës, Xhaferi e ka bërë duke u bazuar vetëm në shaminë që mendonte se e ka pasur në kokë. Por ai brengosej shpesh se mos ka bërë ndonjë gabim dhe e ka varrosur dikë tjetër në vend të nënës së tij.

“Nuk mund të rehatohesha pa e ditë saktë dhe pasi që ndodhën plot raste tek familjet e të zhdukurve, që i kanë varrosë gabimisht, unë i lajmërova ata në Prishtinë”, tregon Xhaferi për Express. Tash tre muaj ai pret përgjigje, në mënyrë që të dihet saktë nëse kufoma që ai e kishte varrosur, ishte e e nënës së tij.

“Veç le ta di se a ka qenë nana jeme a dikush tjetër”.

Ngatërrime gjatë zhvarrimit

Nuk është vetëm Xhaferi i cili e ka këtë hall. Vetëm në Mitrovicë janë gjetur tetë raste të tilla, kur varrimet janë bërë duke menduar se është personi që kërkohej, e në fakt ka dalë të jetë dikush tjetër.

Nëntë vjet me radhë familja Ibishi kishte vajtuar dhe kishte vënë lule mbi një gur varri, që mbante emrin e kryefamiljarit të tyre, Tafil Ibishit (55), i vrarë gjatë luftës. Madje, i kishin ngritur edhe përmendore. Por nëntë vjet më vonë, ata kuptuan se kishin vajtuar mbi varrin e gabuar.

Familja Ibishi, në pranverë të vitit 2008 kishte pranuar që të zhvarroste kryefamiljarin, për të vërtetuar identitetin e mbetjeve mortore nëpërmjet metodës së ADN’së, si metoda më e sigurt shkencore për identifikim, si dhe për të përcaktuar shkaktarin e vdekjes. Dhe, dyshimi doli të jetë me vend, pasi mostrat e marra nga eshtrat, nuk u përputhën me asnjë prej mostrave të gjakut të marra nga familja Ibishi. Ata e kuptuan se në varrin, që mbante emrin e Tafilit, nuk ishin varrosur eshtrat e tij, por të dikujt tjetër.

Të njëjtin problem e ka edhe Ardian Tahiri. Në varrin ku mendohej se është i varrosur babai i tij, Fetah Tahiri, në vitin 2008 janë gjetur tri kufoma. Ky i ri nga Mitrovica dhe familjarët tjerë kërkojnë që sa më shpejt të bëhet identifikimi i eshtrave që janë zhvarrosur, në mënyrë që ta dinë se ku prehen më të dashurit e tyre.

Identifikimi klasik

E vetmja derë, ku këta familjarë shkojnë të kërkojnë informacione, është shoqata për të zhdukur “Zëri i Prindërve” në Mitrovicë.

Bajram Çerkini, udhëheqës i kësaj shoqate, thotë se ky është një nga problemet më të mëdha me të cilat janë duke u përballur. Sipas tij, në komunën e tyre janë 107 raste të tilla të varrimeve të dyshimta.

Derisa 63 familje deri më tani kanë pranuar zhvarrimin e të afërmve, 13 prej tyre, në bazë të analizave të ADN’së, është vërtetuar se janë varrosur gabimisht, ndërsa për 50 raste ende nuk ka përgjigje.

Varrimet e tilla të dyshimta, pa ekspertizë paraprake mjeko-ligjore dhe pa vërtetim të identitetit nëpërmjet metodës së ADN’së, konsiderohet se janë një nga shkaqet, që kanë komplikuar zbardhjen e fatit të afro 1.800 personave, sa konsiderohen ende të zhdukur.
Këtë e pranon Arsim Gërxhaliu, udhëheqës i Zyrës për të Zhdukur dhe Mjekësi Ligjore. Mungesën e një laboratori në Kosovë, ku do bëhej testi i ADN’së, Gërxhaliu e konsideron si një mangësi shumë të madhe.

“Në Kosovë mund të kryhet vetëm inspektimi mjeko-ligjor; mund ta nxjerrim moshën, gjatësinë e tij, gjininë dhe shkakun e vdekjes. Kjo është maksimumi që mund të ofrohet, sepse Kosova nuk posedon laboratorë të ADN’së dhe një gjë e tillë është larg nga realiteti kosovar”, thotë Gërxhaliu. Kjo, sipas tij, është arsyeja pse vonohet identifikimi i mbetjeve mortore. Në frigoriferët e Mjekësisë Ligjore gjenden rreth 400 mbetje mortore që ende nuk dihet të kujt janë. Zyrtarët e Zyrës për Persona të Zhdukur thonë se ato mbetje nuk përkojnë me asnjë nga mostrat e gjakut që janë marrë nga familjarët e të zhdukurve. Prandaj, ata mendojnë se ka mundësi që kur janë bërë varrimet menjëherë pas luftës ka pasur mundësi të gabimeve.

Ankohet edhe pala serbe

Të njëjtin problem duket se e ka edhe pala serbe. Sipas zyrtarë serbë, në shumë raste janë bërë gabime në identifikimin mbetjeve mortore.

Veljko Odalloviq , kryetar i Komisionit Republikan të Serbisë për njerëz të zhdukur dhe të rrëmbyer, ka thënë se gabimet në identifikim janë bërë gjatë zhvarrimit të trupave. Sipas tij, nga 77 persona serbë të vrarë në luftën e Kosovës, e që janë zhvarrosur, 13 prej tyre janë identifikuar gabimisht. Ai ka deklaruar se shumë familje shqiptare dhe familje serbe janë të shqetësuar me të drejtë për mundësinë e identifikimit gabim të trupave të të afërmve të tyre.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›