Nuk u pëlqejnë uniformat
Ndonëse është rregull që uniformat të barten në çdo institucion shkollor, me qëllim që identifikimi i nxënësve të jetë më i lehtë, në disa shkolla një gjë e tillë nuk është duke ndodhur. Disa nxënësve duket se më shumë përshtypje u bëjnë rrobat e thjeshta.
Filloreta Raci, nxënëse e gjimnazit “Sami Frashëri”, ka thënë për Kosovapress se uniformën nuk e vesh të gjithën për shkak se nuk ndihet rehat.
“Uniformën nuk e veshi krejt, e veshi vetëm fundin, për arsye se nuk ndihem rehat në këmishë dhe me setër. Shihet shumë qartë se nuk e veshim komplet uniformën. Ma merr mendja se kjo është njëra prej gjërave që nuk duhet ta bëjmë. Nëse nuk i bartim uniformat suspendohemi, largohemi nga ora, po ashtu nga shkolla”, ka thënë Raci.
Edhe Egzon Ahmeti, nxënës i gjimnazit “Eqrem Qabej”, e pranon se ka nxënës që nuk i veshin uniformat, për shkak se më shumë iu pëlqen të vishen sipas dëshirës, e jo sipas urdhrave të shkollës. Ai thotë se nxënësit i veshin uniformat vetëm në hyrje të shkollës dhe me të hyrë në klasë, i heqin.
Drejtorët e shkollave, bartjen e uniformës e vlerësojnë të rëndësishme, pasi që ajo i veçon nxënësit nga personat tjerë që mund të hyjnë në shkollë për të bërë probleme. Osman Beka, drejtor i gjimnazit “Sami Frashri”, ka thënë se uniformat barten nga shumica e nxënësve.
“99 për qind e nxënësve e bartin uniformën, ndërsa vetëm një për qind e anashkalojnë. Ata të cilët nuk e bartin uniformën prishin rendin dhe rregullin e kodit të mirësjelljes, veçohen nga të tjerët. Fatbardhësisht, shkolla ka të angazhuar edhe sigurimin që është i obliguar të mos lejojë asnjë person, i cili nuk është me uniformë, që të hyjë në shkollë”, ka thënë Beka.
Drejtori i shkollës “Eqrem Çabej”, Ilaz Hazeri, thotë se nxënësit pa uniforma kthehen mbrapa. “ Ata nxënës, të cilët nuk i veshin uniformat, janë nxënës që kanë mungesa dhe me sjellje jo të mira”.