Hetohen naftarët
Importuesit e mëdhenj të naftës në Kosovë mund të pësojnë të njëjtin fat sikurse kompanitë e sigurimeve, që janë dënuar me nga 100 mijë euro për një marrëveshje të fshehtë të tyre. Drejtues të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës kanë thënë se janë duke i hetuar importuesit e mëdhenj të naftës për mundësinë e ekzistimit të një marrëveshjeje mes tyre. Shoqata e Naftëtarëve nga ana e saj nuk deklarohet rreth kësaj çështjeje.
Kryetari i Autoritetit Kosovës të Konkurrencës, Osman Ejupi, ka thënë për Kosovapress se ka ankesa nga ana e konsumatorëve për ngritjen e shpejtë të çmimit të naftës.
“Edhe në tregun e industrisë së naftës ne kemi shumë ankesa nga klientët, nga konsumatorët, sepse tek e fundit ky autoritet është ngritur për në bazë të ligjit për rregullimin e tregut të lirë dhe mbrojtjen e konsumatorëve. Kemi ankesa në ngritjen e shpejtë të çmimeve të naftës kur ato ngrihen në berzë dhe fare në fund në uljen e çmimeve kur ato ulen në berzën ndërkombëtare”, ka thënë Ejupi. Për atë, thotë Osmani se kanë hetuar në disa rajone.
Për më tepër, ai ka shtuar se në këtë rast është shfuqizuar marrëveshja dhe tani në Gjilan dhe në atë rajon nuk ekziston një marrëveshje e tillë. Ejupi ka shtuar se në këtë rast nuk janë duke hetuar pikat e shitjes, por importuesit e mëdhenj, pasi ata e determinojnë çmimin e naftës.
“Ne po monitorojmë dhe po hetojmë rastet e importuesve të mëdhenj të naftës, këta që bien naftë nga jashtë dhe shesin për pikat e shitjes me pakicë, domethënë për shitësit e vegjël dhe këta në të shumtën e rasteve i determinojnë çmimet e derivateve të naftës”, është shprehur ai.
Gjithashtu Ejupi ka përmendur si problem edhe dy pikat problematike kufitare 1 dhe 31 në veri të Kosovës, që sipas tij, destabilizon tregun.
Kreu i AKK-së ka thënë se në pjesën e parë të këtij viti do të dilet me një verdikt edhe për importuesit e derivateve të naftës. Ai ka bërë të ditur se dënimet për kompanitë importuese të naftës janë deri në 10 për qind në bazë të qarkullimit vjetor.
Nga ana tjetër, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu ka thënë për Kosovapress se për fat të keq ditëve të fundit është duke u rritur çmimi i naftës dhe kjo vjen për arsye të shumta. Ai nuk beson se ekziston një marrëveshje mes importuesve të mëdhenj, por thekson se ngritja e çmimit dëmton shumë bizneset.
“Nuk e besoj që do të ketë një marrëveshje të tillë, por sidoqoftë një çmim i tillë apo hapa të tillë Kosovën e bien një vend që nuk mund të jetë atraktiv dhe e dyta komuniteti i biznesit e paguan një çmim shumë të shtrenjtë, pjesa dërrmuese e bizneseve apo një ndër substitutet kryesore, të cilat i përdorin bizneset janë derivatet e naftës”, ka theksuar Gërxhaliu.
Ndryshe çmimet edhe pse janë të larta, ato rriten dita-ditës, ndërsa Shoqata e Naftarëve të Kosovës nuk është në gjendje për të dhënë një sqarim.