E Shtunë, 31 Tetor 2026

150 të vdekur nga tërmeti në Itali

 

Italia është goditur nga një tërmet i fortë, i shkallës 6.7 Rihter në rrethinat e Romës gjatë orëve të mëngjesit të djeshëm.Ishte ora 3:30 minuta, kur në Romë u dëgjua lëkundja e parë, e cila nxori në rrugë të tmerruar mijëra banorë. Gjatë minutave në vazhdim e deri në mëngjes janë regjistruar rreth 200 lëkundje sizmike të shkallëve të ndryshme. Tërmeti ka prekur shume rrethina të Romës dhe ka shkaktuar 150 të vdekur dhe mijëra të plagosur. Rreth 50 mijë njerëz kanë mbetur të pastrehë. Mes viktimave ka edhe shqiptarë. Kryeministri Silvio Berluskoni ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme dhe ka shpallur, me miratimin e Këshillit të Ministrave, ditë zie kombëtare ditën kur do të kremohen viktimat e tërmetit. Berluskoni ka vënë në dispozicion para dhe mjete për të shpëtuar çdo të mbijetuar, njerëzit janë larguar nga qytetet e prekura nga tërmetet me helikopterë dhe janë dërguar në spitale të qyteteve pranë. Janë ngritur edhe çadra për të pastrehët dhe hotelet me standarde sigurie kanë vënë në dispozicion, me urdhër të qeverisë, të gjitha dhomat e tyre për ata që kanë mbetur pa shtëpi.
Viktimat shqiptare 
Ministria e Brendshme dhe ajo e Mbrojtjes në Itali kanë njoftuar fillimisht se mes 40 mijë emigrantëve shqiptarë që jetojnë në zonën e prekur nga tërmeti, Abruzzo, nuk ka viktima. Por në orët e mbrëmjes, ambasada shqiptare në Itali konfirmoi vdekjen e një katërvjeçareje, E. Boshti, trupi i pajetë të së cilës është identifikuar nga i ati. Ambasada nuk ka bërë të ditur emrin e viktimës. Mes shumë të zhdukurve, mbase mund të ketë edhe viktima të tjera shqiptare, por deri sa të qetësohet situata dhe të kthjellohen edhe deklarata zyrtare nuk mund të ketë shifra të qarta. Është konfirmuar vetëm vdekja e 4 shqiptarëve të Maqedonisë: Valbona Osmani, 13 vjeçe, Alena Ajarubi, 11 vjeçe, Refik Hasani, 44 vjeç dhe Nurije Abiduja, 41 vjeç. Të gjithë janë të lindur dhe banues në Itali. Ndërkohë mungojnë informacionet për një familje shqiptare me tre persona.
Thirrja e Berluskonit
“Askush nuk do të lihet vetëm”! Kështu premtoi Kryeministri italian Silvio Berluskoni për viktimat e tërmetit. Berluskoni ka vizituar zonën e tërmetit, në Aquila, ku ka mbajtur një konferencë për shtyp, gjatë zhvillimit të së cilës ka pasur lëkundje të lehta sizmike. Megjithatë konferenca ka vazhduar. Kryeministri ka bërë thirrje që askush të mos kthehet brenda banesave, pasi ato mund të kenë pësuar dëmtime dhe mund të rrëzohen nga çasti në çast, për të evituar viktima të reja. Brenda natës do të realizohen 2 mijë tenda për të 50 mijë të pastrehët. Të gjitha ndërtesat publike të qyteteve pranë do të jenë në dispozicion të viktimave. “Të gjitha shkollat që nuk do kenë plotësuar standardet e sigurisë do të qëndrojnë të mbyllura”, tha ai. Presidenti i Këshillit ka siguruar popullsinë se uji i pijshëm do të jetë i ndotur dhe rrjeti i gazit është mbyllur për arsye sigurie. Berluskoni ka premtuar numër rekord të punëtorëve të ndihmës së shpejtë. Njëkohësisht llogaritet se shoqëritë e sigurimeve duhet të paguajnë një shumë prej rreth 800 milionë euro për dëmet e kësaj tragjedie.
Ndërkohë Presidenti Obama dhe shumë lider të vendeve të Bashkimit Evropian kanë ngushëlluar Kryeministrin maqedonas Silvio Berluskoni për këtë tragjedi kombëtare si dhe Presidenti Napolitano. Për viktimat e tërmetit, në sesionin e radhës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së është mbajtur një minutë heshtje. Punëtorët e ndihmës së shpejtë po kërkojnë nën rrënoja, ata nuk do të ndalojnë edhe pas 24 orësh gërmime, me urdhër të Kryeministrit, megjithëse errësira dhe shiu po ua vështirësojnë shumë punën. Kryeministri Berluskoni ka paralajmëruar se numri i viktimave do të rritet sërish, duke marrë parasysh gjendjen.
Epiqendra e tërmetit ishte në Abuzzo me 6.7 gradë Rihter. Në më pak se një orë pas dridhjes së parë të tërmetit autoritete kishin marrë mbi 300 telefonata, rreth orës 04:14 të mëngjesit. Para orës 5:00 të mëngjesit janë njoftuar edhe Presidenti dhe Kryeministri i vendit mbi situatën. Ky i fundit ka anuluar vizitën në Moskë, për t’u gjendur brenda vendit gjatë zhvillimit të situatës së jashtëzakonshme.

200 lëkundje
Që nga lëkundja e parë sizmike e tërmetit të së hënës në rrethinat e kryeqytetit italian, Romë, e cila u regjistrua pak pas orës 03:30 të mëngjesit, ekspertët kanë njoftuar rreth 200 lëkundje të tjera me magnitudë të ndryshme sizmike. Nga 3,32 deri në 5.8 fuqi. Disa prej lëkundjeve kishin negergji të vogël dhe të padëmshme, por disa të tjera kanë qenë fatale për qindra njerëz. Lajmin e ka bërë të ditur presidenti i komisionit “rreziqe të rënda”, Franco Barberi. Presidenti i Rajonit Abruzzo, Gianni Chiodi, u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të evitojnë telefonat celularë. Ata duhet të përdoren vetëm në raste ekstreme për të evituar mbingarkesën e linjave telefonike.

Monumentet
Tërmeti në Abruzzo nuk ka kursyer as trashëgiminë artistike në Itali, edhe pse autoritetet thanë se ishte shumë shpejt për të deklaruar dëme të ndërtesave historike apo punëve të artit. Pjesa e prapme e bazilikës Romane, Santa Maria e Collemaggio, pjesa më e madhe e së cilës është restauruar në shekullin e 20-të, është dëmtuar. Edhe kupolat e dy kishave në qendrën historike kanë pësuar krisje. Kati i tretë i kështjellës së shekullit të 16-të, ku ndodhet Muzeu Nacional i Abruzzo-s, është prekur gjithashtu nga tërmeti, edhe pse zyrtarët nuk kanë llogaritur dëmet e koleksionit të artit brenda tij. Sipas agjencisë ANSA “Porta Napoli”, e ndërtuar në vitin 1548, në nder të Perandorit të Shenjtë Roman, Charles V, është shkatërruar nga tërmeti.

Qyteti “fantazmë”
Pas tërmetit në Itali, qyteti Onna u kthye në një qytet fantazmë. 50 persona kanë humbur jetën dhe konsiderohen të zhdukur në qytetin e vogël me rreth 350 banorë. Shumë mungojnë në apelin e autoriteteve dhe mendohet se disa mund të jenë nën rrënojat e ndërtesave të shembura. Kjo do të thotë se në këtë qytet janë një në shtatë persona viktima të tërmetit të fundit. Mes shumë historive të dhimbshme është edhe ajo e familjes së një kryeredaktori të gazetës “Il Centro” në Aquila, Giustino Parisse, 49 vjeç. Në qytetin Onna kanë humbur jetën dy fëmijët e tij: Domenico, 18 vjeç dhe Maria Paola, 16 vjeç. Nëna e fëmijëve është në grahmat e fundit në spitalin e qytetit. Edhe vëllai i gazetarit, që javën e kaluar sapo ishte martuar, humbi jetën në rrënojat e shtëpisë dy katëshe.

Shkencëtari parashikues: Më quajtën torollak 

Një studiues e kishte parashikuar tërmetin e së hënës në Itali, i cili vrau mbi 100 vetë dhe la mijëra të pastrehë në qendër të vendit, por autoritetet i kishin injoruar thirrjet e tij dhe e kishin akuzuar për përhapje të panikut në publik. Giacchino Giuliani, sipas CNN, tha se dëshironte që autoritetet t’i kërkonin të falur për shpërfilljen mbi një ngjarje kaq të rëndë. Giuliani, një nëpunës në një institut fizike në Gran Sasso, pranë qytetit më të goditur nga tërmeti, L’Aquila, tha se “Ka njerëz të cilët duhet të më kërkojnë të falur, dhe ata duhet të kenë në ndërgjegje peshën e asaj që u ndodhi viktimave, pasi vdekjet mund të ishin evituar”. Giuliani e ka parashikuar që muajin e kaluar tërmetin me metodën e emetimeve të gazit radon, i cili parashikon tërmetet. Shkencëtari u padit në polici për alarm fals dhe u detyrua t’i hiqte paralajmërimet e tij nga Interneti. “Ata më quajtën torollak”, tha ai. Giuliani tha se ai i kishte monitoruar përqendrimet e gazit radon edhe pak para tërmetit të së hënës, por e dinte se autoritetet do të ngrinin sërish akuza kundër tij. “Natën e kaluar nuk dija me kë të flisja. Po e shihja që situata përkeqësohej dhe nuk mund të bëja asgjë”, citon CNN.

150 persona
kanë humbur jetën nga tërmeti i orëve të para të mëngjesit të djeshëm në Itali. Mes tyre 6 fëmijë të vegjël. Numri i viktimave pritet të rritet

50 mije
të pastrehë janë regjistruar deri tani në rrethinat e Romës, ku ka goditur kryesisht tërmeti i shkallës 6.7 Rihter.

Liderët e politikës shqiptare ngushëllojnë fqinjët
Liderët shqiptarë në politikë kanë dërguar nëpërmjet letrave dhe mesazheve ngushëllimet e tyre në Itali, drejtuar Presidentit dhe Kryeministrit të vendit fqinj. Presidenti Bamir Topi, Kryeministri Sali Berisha, kreu i PS, Edi Rama dhe kreu i LSI-së, Ilir Meta kanë shprehur keqardhjen për ngjarjen dhe janë solidarizuar me familjet e viktimave të tërmetit të rëndë në Itali.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›