E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana ia del në Vlorë, Vllaznia dërmon Elbasanin

 

Jorgis MEMO

Asgjë nuk ndryshon në renditjen e kampionatit, edhe pas javës së 26-të, e cila u luajt e gjitha dje. Kryesuesit fitojnë në transfertë, ndërsa derbi i kryeqytetit, këtë herë i takoj Dinamos. Bardheblutë arritën një fitore shumë të rëndësishme në Vlorë, në shifrat 2-1. Ndërsa kryesuesja tjetër, Vllaznia, shkatërroi Elbasanin në “Ruzhdi Bizhuta”, me rezultatin e thellë, 4-1. Dyshja Sinani-Sukaj rikthehet fuqishëm, ndërsa verdheblutë thellojnë më tej krizën. Në “Qemal Stafa” u zhvillua derbi Partizani-Dinamo, një ndeshje që i pati të gjitha brenda, ku në fund fitorja u buzëqeshi bluve 2-1. Nga rezultatet e tjera, duhet veçuar barazimi i Lushnjës në Kavajë, 2-2, çka e ka bërë edhe më intrigues fundin e tabelës.
Kryesuesit nuk falin
I kalojnë në mënyrën më të mirë ndeshjet e luajtura jashtë fushe, duke vazhduar rrugën e bashkëkryesimit. Tirana dhe Vllaznia kanë marrë fitore mjaft të rëndësishme. Bardheblutë e Agustin Kolës shënojnë në Vlorë pa filluar mirë ndeshje, me kryegolashënuesin Migen Memelli, që ngjitet në kuotën e 16 golave. Flamurtari reagon mirë dhe nëpërmjet një goditjeje dënimi barazon shifrat me autor mesfushorin kroat, Roberto Alvizh. Kualitet e bardhebluve vendosin lojën, teksa Memelli kalon ekipin në avantazh në minutën e 39-të. Pjesa e dytë flet më shumë për vlonjatët, por Tirana mbrohet mirë dhe nëpërmjet kundërsulmeve mund të kishte shënuar golin e tretë. Përfundimisht 2-1 për bardheblutë, që kalojnë një pengesë shumë të vështirë. Ndërkohë, një paraqitje të shëkqlyer kanë bërë shkodranët në Elbasan. Sulmuesi Vioresin Sinani rikthehet nga dëmtimi me dy gola, duke nderuar kuqeblutë. Në një ndeshje ku sulmuesi tjetër i Vllaznisë, Xhevahir Sukaj e nisi nga stoli, ekipi shkodran nuk e pati shumë të vështirë, edhe pse Elbasani e kërkoi me ngulm golin. I sapofuturi Sukaj trefishon rezultatin dhe më pas Ahmataj shkurton diferencën. Në fund është përsëri Sukaj që vulos këtë fitore të thellë, në një ndeshje e cila parashikohej të ishte më e fortë. Elbasani po rrezikon seriozisht kategorinë, ndërsa tani ka mbetur edhe pa trajner, pas dorëheqjes së Faruk Sejdinit.     
Derbi është blu
Një nga ndeshjet më të rëndësishme të javës ishte pa dyshim Partizani-Dinamo, në një kohë që dy skuadrat janë me objektiva të kundërta. Triumfuan blutë e drejtuar nga Shkëlqim Muça, por jo pa vështirësi. Pjesa e parë u dominua nga Dinamo, por sulmuesit e kësaj të fundit humbën disa raste për shënim. Sebino Plaku, një nga më të mirët në fushë, pati mundësi të arta, por portieri Shehi i tha “jo” golit. Nga ana tjetër, të kuqtë zhvilluan një lojë racionale dhe u munduan të dilnin me anë të kundërsulmeve, duke shfrytëzuar sulmuesit Ngjela dhe Begaj. Gjithsesi, pjesa e parë përfundoi pa gola. Në minutën e 68-të do të vinte edhe goli i parë i bluve, që ka për autor mbrojtësin kroat Bodrusiç. Pas këtij momenti Partizani është me 10 lojtarë, sepse mbrojtësi Malota ndëshkohet me karton të kuq. Ekipi i trajnerit Shpëtim Duro, nuk dorëzohet dhe mesfushori Dritan Babamusta kalon tifozërinë në delir, teksa barazon rezultatin në minutën e 75-të. Gëzimi i të kuqeve zgjat pak, sepse krosimin e Bakajt, e shfrytëzon mjaft mirë Poçi, që me kokë brenda zonës, mposht Shehin, duke vulosur fitoren e Dinamos, 2-1. Në minutat e fundit ka vend edhe për kartonin e kuq të Elis Bakajt.  

Ndeshjet

Teuta-Shkumbini                1-0
Vila 10’
Partizani-Dinamo                  1-2
Babanusta 75'/Bodrusiç 68', Poçi 76'
Flamurtari-Tirana             1-2
Alvizh 19'/ Memelli 1', 39'
Elbasani-Vllaznia                 1-4 (0-1)
Ahmataj 81'/Sinani 16', 61', Sukaj 72', 89' 
Besa-Lushnja                 2-2 (1-1)
Haliti 33’, Progni 56’/Mancaku 44’ (aut), Kaloti 90+2’
Apolonia-Bylis                 0-0

RENDITJA
    N    F    B    H    G+    G-    P
TIRANA    26    14    9    3    40    19    51
VLLAZNIA    26    15    6    5    39    22    51
DINAMO    26    13    8    5    40    23    47
SHKUMBINI    26    10    8    8    27    25    38
BESA    26    10    8    8    27    27    38
TEUTA    26    9    8    9    23    21    35
FLAMURTARI    26      6          8    11    21       27    29
PARTIZANI    26    7    8    11    20    26    29
ELBASANI    26    5    12    9    20    27    27
LUSHNJA    26    6    8    12    19    30    26
APOLONIA    26    7    4    15    24    37    25
BYLIS    26    5    9    12    18    34    24

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›