E Shtunë, 31 Tetor 2026

Incidenti, akuzë mikut të dy oficerëve

 

PIRO NASE /Gjirokastër

Policia ndryshoi dje versionin e incidentit të ditës së shtunë, ku shoferi i kryepolicit të Gjirokastrës, Arben Hyseni, plagosi një efektiv policie që kërkoi të kontrollonte makinën. Ndërkaq është dërguar për ndjekje penale edhe shoferi i makinës ku ndodheshin dy oficerët, Qëndrim Çela, pasi edhe ai ka kundërshtuar policinë. Oficeri Blerim Mëhilli, shofer i drejtorit të Policisë së Gjirokastrës, ndodhej në automjetin tip BMW bashkë me oficerin e Gardës së Republikës, Evis Mërtiri, kur polici rrugor Armand Gaba kërkoi të ushtronte kontroll. Në automjet bashkë me shoferin e kryepolicit të Gjirokastrës dhe oficerin e Gardës, ndodhej edhe shtetasi Qëndrim Çela, drejtues i makinës. Tentativa e policit rrugor për kontrollin e mjetit ka ndeshur në kundërshtimin e kolegëve, të cilët në gjendje të dehur ushtruan dhunë mbi policin rrugor Armand Gaba. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së shtunës në afërsi të Urës së Leklit, ndërsa menjëherë pas incidentit, drejtori i Policisë së Gjirokastrës pezulloi nga detyra shoferin e tij, Blerim Mëhilli. Në versionin zyrtar të policisë së Gjirokastrës ditën e diel, nuk përmendej të ishte realizuar kontrolli në makinë. Burimet jozyrtare të policisë sugjeruan të dielën se kontrolli në automjet nuk ishte realizuar për shkak të kundërshtimit dhe dhunës me të cilën ishte përballur polici rrugor, që tentoi të verifikonte automjetin. Madje burimet saktësuan se në sherr e sipër drejtuesi i makinës, Qëndrim Çela, ishte larguar nga vendi i ngjarjes. Polici që u dhunua nga kolegët e tij ndodhej në postbllokun e ngritur me qëllim kontrollin e makinave për lëndë narkotike. Ndërkaq, ditën e djeshme, zëdhënësi i policisë lokale, Gentian Mullai, saktësoi se makina ku ndodhej shoferi i kryepolicit të Gjirokastrës, ishte kontrolluar. Sipas zëdhënësit, brenda makinës nuk ishte gjetur asgjë e jashtëligjshme. I pari që ka reaguar në mënyrë të dhunshme ndaj kontrollit ka qenë Blerim Mëhilli, shofer i drejtorit të policisë. Në ndihmë të tij ka shkuar më pas edhe oficeri i Gardës që ndodhej në automjet, Evis Mërtiri. Gjatë kohës që dy oficerët konfrontoheshin me efektivin e policisë, koleg i tyre, drejtuesi i makinës Qëndrim Çela është larguar me shpejtësi bashkë me mjetin tip “BMW”. Zëdhënësi i policisë së Gjirokastrës, Gentian Mullai, mohoi në mënyrë kategorike përplasjen me armë midis punonjësve të postbllokut dhe punonjësit të Gardës së Republikës, duke kërkuar nga mediat e shkruara dhe ato elektronike të jenë të sakta në përcjelljen e informacionit. Sipas policisë së Gjirokastrës, shoferi i drejtorit të policisë së bashku me oficerin e Gardës së Republikës shkaktuan incidentin në postbllok në gjendje të alkoolizuar, pasi vinin nga një drekë familjare nga Dragoti i rrethit Tepelenë.

Dy oficerët e incidentit, dosja shkon në Prokurori
GJIROKASTER – Prokuroria mori dje në dorëzim dosjen penale të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm për ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e së shtunës në afërsi të Urës së Leklit, ku oficeri Blerim Mëhilli dhe gardisti Evis Mërtiri patën një incident me kolegun e tyre, Armand Gaba. Prokuroria e Gjirokastrës tha se ka ngritur akuzë për “goditje për shkak të detyrës” ndaj dy oficerëve të pandehur për ngjarjen. Njëri prej tyre, shoferi i drejtorit të policisë lokale është pezulluar nga detyra me urdhër të shefit të tij. Ndërsa gardisti Evis Mërtiri është marrë në hetim, ndërsa pritet të kërkohet në gjykatë një masë ndaluese me pezullim nga detyra. Lajmi konfirmohet nga burime të Prokurorisë, sipas të cilave akuzat ndaj oficerëve u formuluan ditën e djeshme, menjëherë pasi u paraqit dosja e plotë voluminoze nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Drejtorinë e Policisë së Qarkut. Në këtë dosje kanë qenë të faktuara të gjitha rrethanat e ngjarjes që ndodhi të shtunën, ku mbeti i plagosur inspektori i policisë, Armand Gaba, si pasojë e dhunës së ushtruar nga Blerim Mëhilli, shofer i drejtorit të Policisë së Gjirokastrës. Pak orë pas publikimit të incidentit, kreu i Policisë lokale, Arben Hyseni, ka pezulluar nga detyra shoferin e tij, pasi ai kishte krijuar incident nën efektet e alkoolit me grupin e gatshëm të postbllokut të policisë së ngritur në afërsi të Urës së Leklit, i cili kishte për qëllim kontrollin e atyre automjeteve të dyshuara për trafik të lëndëve narkotike.                                p.n

U arratis, akuzë drejtuesit të mjetit
TIRANE – Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm tha se ka referuar në Prokurorinë e Gjirokastrës dosje penale edhe për personin e tretë që shoqëronte oficerët në hetim. Qëndrim Çela, drejtuesi i makinës që iku nga vendi i ngjarjes, është dërguar për ndjekje penale duke u akuzuar se ka kryer veprën penale “kundërshtim të punonjësve të policisë”. Ai mësohet se ka ikur nga vendi i ngjarjes në kohën kur dy oficerët që kanë qenë bashkë me të në makinë, po grindeshin me kolegun e tyre në postbllok. Shoferi i makinës është personi i tretë që është kërkuar të hetohet në këtë ngjarje. Ndërkaq mësohet se ai ka qenë në vëmendjen e policisë edhe më parë. Drejtuesi i makinës që ka ikur nga vendi i ngjarjes, sipas hetimeve ka pasur njohje personale me shoferin e drejtorit të policisë së Gjirokastrës dhe oficerin e Gardës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›