E Diel, 1 Nëntor 2026

Supermashtruesi, merren në hetim komunarët që u përdorën për imazh

 

TIRANE - Komunarët dhe bashkiakët që janë përdorur për imazh nga supermashtruesi Indrit Aliu, rrezikojnë të përfundojnë në akuzë me të. Burime pranë hetimit të çështjes pohojnë se ende nuk kanë marrë një vendim për këtë, por po analizojnë rast pas rasti, të gjithë momentet kur Indrit Aliu ka takuar biznesmenë të ndryshëm dhe u ka premtuar tenderë, në prani të krerëve të pushtetit lokal nëpër qytete e komuna të ndryshme. Të paktën për disa prej këtyre rasteve janë gjetur prova që vërtetojnë që përfaqësuesit e pushtetit lokal, jo vetëm që kanë qenë të pranishëm në të gjitha marrëveshjet që Indrit Aliu ka bërë me biznesmenë të ndryshëm, por këta kanë qenë aktivë në bisedime, duke vërtetuar pretendimet e mashtruesit. Po kështu, përfaqësuesit e pushtetit lokal rrezikojnë të merren nën akuzë për moskryerjen sipas ligjit të detyrës, pasi është fakt kryerja e punimeve nga firma të ndryshme ndërtimi, ndonëse nuk ka pasur asnjë studim apo projekt shtetëror për to. Po kështu, organi i hetimit të kësaj çështjeje pohon se deri tani është vërtetuar se Indrit Aliu ka futur në xhep një sasi prej rreth 600 mijë euro, që ua ka marrë disa biznesmenëve, ndërsa mendohet se pas verifikimeve të mëvonshme kjo shifër pritet të rritet, pasi “viktimat” pretendojnë për një sasi që i kalon 3 milionë euro. Hetimet kanë nxjerrë se Indrit Aliu i takonte viktimat në prani të krerëve të komunave apo bashkive, të cilët mjafton të pohonin se kishin bërë projektet e rrugëve dhe se gjithë procedura e kryer për këtë qëllim ishte shtetërore. Këtij pohimi, që në fakt ishte tërësisht i rremë, i shtonte Indrit Aliu gënjeshtra të tjera, aq sa biznesmenët e besonin dhe lidhnin kontrata për kryerje punimesh, duke mos dyshuar aspak që gjithë dokumentacioni ishte i falsifikuar. Burime të hetimit pohojnë gjithashtu se, aktualisht po punohet me analizimin e dokumentacionit që u sekuestrua në zyrat dhe banesën e Indrit Aliut, si dhe faturat bankare dhe mandat arkëtimet që kanë dorëzuar në prokurori viktimat e 25-vjeçarit vlonjat. Tashmë emri i Indrit Aliut ndodhet në listën e personave të kërkuar, ndërsa organi i Prokurorisë së Tiranës pohon se ka nisur ndaj tij procedimin penal nën akuzën e “mashtrimit me pasoja të rënda”, sipas nenit 143/2 të Kodit Penal.                     fa.ma

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›