E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plagosje në shkollë me pistoletë

 

LEZHE/ ROLAND NIKOLLI

Nxënësi i klasës së tetë plagos shokun e bankës me pistoletë. Një plumb e ka zënë 14-vjeçarin në bark, pas krismës që shpërtheu brenda klasës së të 8-ës B, në shkollën “Kosova” të Lezhës. Djali i lënduar, Marsel R. është dërguar në Spitalin Ushtarak të Tiranës, ndërsa moshatari i tij, autori Marjan M., i tronditur është fshehur prej momentit të ngjarjes, për t’u kapur rreth 9 orë më vonë, në dalje të Lezhës. Dy djemtë ndodheshin vetëm në klasë rreth orës 10:30, kur sapo kishte nisur pushimi i madh. Marjani, siç i ka treguar shokut, kishte gjetur një pistoletë e me të kishte mundur të depërtonte në klasë, madje ta mbante me vete që nga mëngjesi pa u pikasur nga të tjerët dhe mësuesit. Sapo kanë mbetur vetëm, 14-vjeçari ka nxjerrë mbi tavolinë armën, prodhim artizanal. Ai ka thënë se arma kishte pasur 2 plumba dhe i kishte hequr prej saj. Por, në të vërtetë arma kishte pasur 3 të tillë. Ndërsa Marjani po ia tregonte shokut, arma është shkrehur. Plumbi ka marrë në pjesë e barkut nxënësin. Krisma është dëgjuar nga dezhurni i katit të tretë ku ndodhi plagosja, duke dhënë alarmin në shkollë. Mësuesit po zhvillonin një mbledhje në ato momente, duke dalë me shpejtësi prej saj. I plagosuri është përcjellë në spitalin e Lezhës me urgjencë, ndërsa personi që qëlloi mundi që mes rrëmujës së krijuar të dilte nga klasa e të arratisej pa lënë gjurmë. Shokët e klasës kanë pohuar se dy djemtë ishin lënë vetëm në klasë, çka ka bërë që të identifikohet nxënësi. Ekspertë të policisë të mbërritur, si në vendngjarje, ashtu edhe në spitalin rajonal të Lezhës, kanë nisur hetime në lidhje me plagosjen mes të miturish. Ata kanë marrë në pyetje mësues të shkollës dhe nxënës të klasës ku ndodhi ngjarja, duke kërkuar informacione në lidhje me ndonjë konflikt të mundshëm në mes të 2 djemve dhe faktit nëse autori kishte qenë edhe herë të tjera i armatosur në klasë. Nga hetimet ka rezultuar se mes dy djemve nuk kishte pasur asnjë konflikt, por ata ishin shokë dhe rrinin shumë me njëri-tjetrin. Policia po heton për rrethanat e gjetjes së armës nga ana e Marjanit. Në komisariat u shoqëruan dy prindërit e tij, të cilët e mohuan kategorikisht të kishin pasur armë në shtëpi. Vetë i plagosuri, i cili sipas mjekëve nuk ka rrezik për jetën, ka mundur të flasë se Marjani e kishte gjetur armën dhe shkrehja ndodhi papritur kur po ia tregonte në klasë. Rreth orës 19:00, ai është pikasur nga policia në periferi të Lezhës, duke u shoqëruar në komisariat. Në prani të një psikologu, të atit dhe avokatit ai u pyet mbi rrethanat e ngjarjes. Mësohet se i mituri ka deklaruar se armën ia kishte marrë një shoku të tij. Bashkë me policinë ai shkoi në vendin ku kishte hedhur armën, pas shkolle, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës. Nxënësi u akuzua për plagosje nga pakujdesia dhe armëmbajtje. Policia arrestoi mbrëmë edhe poseduesin e armës, 15-vjeçarin A.S. Do të jetë prokurori i çështjes, i cili do të vendosë nëse i mituri do të arrestohet apo për shkak të moshës do të procedohet në gjendje të lirë.

Policia: Bashkëpunojmë me shkollat

LEZHE – Policia e Lezhës pohoi dje në një konferencë për shtyp se po hetohet për zbardhjen e plotë të ngjarjes së ndodhur në shkollë. Sipas zëdhënëses së saj, Elona Nika, në asnjë rast nuk ka pasur sinjalizim nga drejtoritë e shkollave apo ajo arsimore. Vetëm atëherë mund të ndërhyhet nga policia, pasi në rast të kundërt mund të ndikojë psikologjikisht te fëmijët e kësaj moshe. “Policia e Lezhës ka komunikim ditor me drejtoritë e shkollave dhe ky bashkëpunim do të vazhdojë”, pohoi Nika.

Drejtoria

Zana Brahimi, drejtoresha e shkollës ku ndodhi plagosja e 14-vjeçarit, nxënësit të klasës së 8–të, pohoi dje se ngjarja e rëndë ka ndodhur në mënyrë të papritur. Në kohën kur ndodhi plagosja, Brahimi tha se stafi drejtues i shkollës po organizonte një takim pune për klasat e 9-ta dhe janë lajmëruar për incidentin nga mësuesi dezhurn. Drejtoresha pohoi se në asnjë rast nuk ka pasur precedentë të tillë. Ndërsa kreu i Drejtorisë Arsimore në Lezhë, Qazim Dushku u shpreh se kjo që ndodhi po analizohet me kujdes dhe në ditët në vazhdim do të merren masa konkrete për parandalimin e fenomeneve të tilla. “Theksoj se shkollat e Lezhës dhe prefekturës nuk kanë pasur probleme të këtij lloji dhe nuk do të përsëriten më”, u shpreh Dushku, duke shprehur keqardhjen për atë që ndodhi për familjen Reçi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›