156 lojtarë nën vëzhgimin e Jisip Kuzhesë
Grumbullimi i kandidatëve për ekipet kombëtare U-19 dhe U-21, me futbollistë që jetojnë dhe luajnë në Greqi, ka ngjallur një interes të jashtëzakonshëm për komunitetin shqiptar që jeton atje. I planifikuar për t’u zhvilluar në tre ditë, ai synon që të sjellë në vëmendjen e drejtuesve të kombëtareve shqiptare, lojtarë të spikatur të cilët për shkak të kushteve specifike (jetojnë dhe stërviten në Greqi), nuk kanë qenë të njohur më parë. Në bashkëpunim me zyrën e zbulimit të talenteve që funksionon prej vitesh në këtë vend është planifikuar një program i detajuar për këtë qëllim. Deri më tani, vetëm në procesin e regjistrimit shifrat kanë treguar për një superinteresim të lojtarëve që aktivizohen atje. Për ekipin U-21 janë regjistruar 60 kandidatë të kësaj moshe. Ndërsa për ekipin U-19, janë regjistruar 96 futbollistë, në total 156 lojtarë. Ditën e djeshme u zhvilluan seanca stërvitore dhe ndeshje kontrolli për të gjitha grup-moshat (1990-1991-1992-1993). Në Athinë prej ditësh kishte filluar interesimi për këtë grumbullim qe për herë të parë zhvillohet në këto përmasa. Ditën e sotme do të vazhdohet me seancat stërvitore dhe me ndeshje për të evidentuar më mirë lojtarët e grumbulluar. Në krye të ekipit seleksionues, është trajneri i ekipit Kombëtar Josip Kuzhe, së bashku me ndihmësin e tij, Dzemal Mustedanagiç. Së bashku me ta, në Greqi ndodhen edhe trajnerët Artan Bushati (U-21) e Ramadan Shehu (U-19), si edhe menaxherët e këtyre skuadrave.