Borxhi, ndryshon pakti me bankat
Qeveria ka ulur të drejtën e bankave të nivelit të dytë për të blerë borxhin. Në dhjetor të vitit të kaluar, një marrëveshje e re mes Ministrisë së Financave dhe Bankës së Shqipërisë, e ka ulur me 20 për qind pjesëmarrjen e bankave për blerjen e bonove të thesarit të emetuara nga qeveria. Pakti i ri mes Fullanit dhe Bodes rrit deri në 50 për qind mundësinë e blerjes së bonove nga qytetarët. Sipas marrëveshjes së vjetër, bonot e thesarit, i ofroheshin në fillim për blerje Bankës së Shqipërisë. Pjesa që mbetet pa u marrë nga Banka e Shqipërisë i ofrohej 70 për qind ofertave konkurruese, pra bankave të nivelit të dytë, dhe 30 për qind ofertave jokonkurruese, pra individëve, ose bizneseve të tjera. E thënë më ndryshe, në rast se qeveria, për financimin e deficitit buxhetor do të emetonte 100 mijë lekë bono thesari, atëherë kjo shumë do i ofrohej në fillim Bankës së Shqipërisë. Në rast se banka refuzonte të blinte këtë borxh, atëherë financimi i deficitit do i ofrohej 70 mijë lekë bankave të nivelit të dytë dhe 30 mijë lekë individëve. Marrëveshja e re parashikon që shuma të mos ndahet 70 me 30 për qind, por gjysmë për gjysmë, pra 50% me 50%, mes bankave dhe individëve. Ky ndryshim i marrëveshjes lejon që kërkesat e individëve, të mos refuzohen. Kjo pasi gjatë vitit 2009 është vënë re një rritje e kërkesave jokonkurruese, për shkak të rritjes së interesit të bonove që shkoi deri në 9.4 për qind. Nga ana tjetër, ndryshimi i skemës së financimit të borxhit, do i tkurrë kërkesat e bankave për t'i investuar fondet në bono thesari, duke krijuar më shumë mundësi kreditimi. Sidoqoftë, efekti për bankat është shumë i vogël, ndërsa ai për qytetarët është shumë i madh. Kryesisht, Banka e Shqipërisë merr pjesë dhe blen pothuajse të gjithë bonot me afat 3-6 mujor, ndërsa bankat janë aktive te investimet e bonove 12 apo 24 mujore. Sipas të dhënave për vitin 2009, në të gjitha rastet e ankandeve të bonove të thesarit, janë pranuar 100 për qind e kërkesave jokonkurruese, pra të qytetarëve. Sipas buxhetit të shtetit, kufiri i stokut të borxhit shtetëror për vitin 2010 parashikohet të arrijë nivelin 701.881 milionë lekë, ose rreth 7.3 miliardë dollarë. Në buxhet parashikohet që deficiti për këtë vit të arrijë në 49,766 miliardë lekë. Ky do të jetë edhe borxhi i ri që do të emetohet në formën e bonove të thesarit apo obligacioneve gjatë këtij viti.Ndryshimet në marrëveshjeNeni 16Radha e përcaktimit të kërkesave fitueseIshte1. Bonot e thesarit që emetohen nga Qeveria Shqiptare, i ofrohen për blerje në fillim Bankës së Shqipërisë, sipas shumës së kërkuar prej saj. Pjesa që mbetet, pasi ka blerë Banka Shqipërisë, ndahet si vijon: 30 për qind për kërkesat jokonkurruese dhe 70 për qind për kërkesat konkurrueseBëhet 1. Bonot e thesarit që emetohen nga Qeveria Shqiptare, i ofrohen për blerje në fillim Bankës së Shqipërisë, sipas shumës së kërkuar prej saj. Pjesa që mbetet, pasi ka blerë Banka Shqipërisë, ndahet si vijon: 50 për qind për kërkesat jokonkurruese dhe 50 për qind për kërkesat konkurruese.Shuma minimale për pjesëmarrje në ankand1. Shuma minimale e lejuar për pjesëmarrje në ankand është 300,000.00 (treqind mijë) Lekë. Kjo shumë mund të shtohet vetëm me shumëfisha të 10,000.00 (dhjetë mijë) Lekë-ve.2. çdo kërkesë, vlera e së cilës kapërcen shumën 30,000,000.00 (tridhjetë milion) lekë, klasifikohet si kërkesë konkurruese pavarësisht subjektit pjesëmarrës në ankand.