Bode “shtyn” 210 milionë euro investime
Ministria e Financave ka shfrytëzuar një nen në ligjin për menaxhimin e sistemit buxhetor, për të ngrirë 25 miliardë lekë shpenzime në buxhetin e vitit 2010. Reagimi i Financave vjen më pak se një muaj nga miratimi i buxhetit, duke zbehur kështu parashikimet optimiste të fjalimeve në sallën e Kuvendit. Financat pranojnë se rritja ekonomike do të jetë 3 për qind. Edhe kjo rritje është akoma optimiste, pasi në raportin për nëntorin, Financat pranojnë se rritja ishte ulur gjatë muajve të fundit të vitit dhe kishte arritur në 3.1 për qind në nëntor. E rrethuar nga parashikimet ekonomike pesimiste, Ministria e Financave ka gjetur një zgjidhje, duke ngrirë fondet e investimeve dhe shpenzimeve. Kështu janë hequr nga plani i investimeve gjatë pjesës së parë të vitit 20 miliardë lekë në zërin e shpenzimeve kapitale dhe 5 miliardë lekë në zërin e shpenzimeve korrente. Kështu deri në qershor të këtij viti, shpenzimet kapitale ulen nga 86 miliardë lekë, në 66 miliardë lekë. Ndërsa shpenzimet korrente, nga 231 në 226 miliardë lekë. Financat sigurojnë se këto ngritje fondesh nuk do të prekin pagat dhe pensionet. Ngritja e fondeve, sipas ligjit për menaxhimin e buxhetit, do të thotë shtyrja e tyre në kohë. Kështu sipas këtij ligji, Ministri i Financave do të provojë lëvrimin e fondeve nga thesari, vetëm për projektet prioritare të ministrive. Në këtë mënyrë të gjitha ministritë do të duhet të rishikojnë edhe një herë projektet dhe të zgjedhin për aplikim në pjesën e parë të vitit, vetëm ato të domosdoshme. Në rast se deri në qershor, të ardhurat janë sipas parashikimit të buxhetit, atëherë edhe fondet e ngrira fillojnë të përdoren. Në buxhetin e vitit 2010, Qeveria kishte parashikuar rreth 6.5 miliardë lekë fonde të ngrira për investimet. Sipas buxhetit, "Fondi i ngrirë për investime prej 6 450 milionë lekësh përdoret në masën 50 për qind, në përputhje me realizimin e të ardhurave të buxhetit të 6-mujorit të parë të vitit 2010 dhe 50 për qind të 8-mujorit të këtij viti." Kësaj pike të buxhetit i janë shtuar edhe 25 miliardë lekë të tjera. Në rast se pas qershorit, të ardhurat në buxhet janë nën ato të parashikuara, atëherë Qeveria do të detyrohet që të hartojë një ndryshim në buxhet, për të ulur shpenzimet, në mënyrë që deficiti të qëndrojë në parametrat e parashikuar dhe kërkuar nga FMN dhe Bashkimi Evropian.