16 cështje shqiptare në Gjykatën Evroiane
Autori i Lajmit: Majlinda Pashollari"Përmirësimi i Zbatimit të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, nëpërmjet zgjerimit të bashkëpunimit ndërmjet Zyrës së Përfaqësimit ligjor pranë Organizmave Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut dhe institucioneve vendase", ishte tema e një konference, e cila u organizua dje në Hotel "Tirana Internacional", nga Ministria e Punëve të Jashtme, në bashkëpunim me Këshillin e Europës. Të pranishëm në këtë konferencë, e cila do të vijojë edhe ditën e sotme ishin Ministri i Drejtësisë, Ilir Rusmali, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Vladimir Kristo, Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Ilir Panda, Gjyqtari i Shqipërisë në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut, Kristaq Traja, ekspertë të fushës etj.
Diskutimi
Gjatë kësaj Konference, u diskutua rreth aspekteve të ndryshme të bashkëpunimit me Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut, si procesi i përcaktimit të shtetit shqiptar dhe ankuesve në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut, ekzekutimet e vendimeve me palë vendin tonë, si dhe roli i aktorëve të shoqërisë civile dhe Avokatit të Popullit në forcimin e bashkëpunimit me Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Zëvendësministri i Drejtësisë, Eduart Halimi, duke folur rreth bashkëpunimit me Gjykatën e Europiane për të Drejtat e Njeriut, theksoi se, "nga Qeveria Shqiptare i është dhënë një rëndësi e madhe përfaqësimit të shtetit shqiptar në këtë gjykatë". Sipas zv/ministrit Halimi, "aktualisht në këtë gjykatë janë 16 çështje për t u shqyrtuar dhe për këtë qeveria shqiptare ka ngritur një grup ndërministror pune, i cili mblidhet 1 deri në 2 herë në muaj, për të diskutuar rreth përfaqësimit të shtetit shqiptar në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut".
Vendimet
Gjithashtu, zv/ministri Halimi u ndal edhe tek ekzekutimi i vendimeve të kësaj Gjykate,duke theksuar se,"Ministria e Drejtësisë është e angazhuar në ekzekutimin e vendimeve, si dhe për të bërë ndryshime në legjislacionin vendas"."Kjo ministri po punon për vendosjen në buxhetin e shtetit të një fondi të veçantë, i cili do të shërbejë për ekzekutimin e vendimeve ku shteti Shqiptar është debitor, theksoi zv/ministri i Drejtësisë, duke vlerësuar se, "ky është një hap shumë i rëndësishëm që, i hap rrugë ekzekutimit të vendimeve me palë shtetin shqiptar".
Ky lajm është publikuar: 27/09/2007