METE prezanton strategjinë për mbrojtjen e konsumatorit
Autori i Lajmit: Red.Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës prezantoi Strategjinë Ndërsektoriale "Për Mbrojtjen e konsumatorëve dhe Mbikëqyrjen e Tregut". Zv/ministri i METE-s, Eno Bozdo, tha se, përmes kësaj strategjie synohet të garantohet tregu për sigurinë dhe cilësinë e mallrave me qëllim që të mbrohet konsumatori shqiptar. "Mbrojtja e konsumatorit- tha Bozdo- është një nga objektivat e Qeverisë, që për herë të parë ka gjetur finalizim në një dokument ndërsektorial strategjik, siç është "Strategjia Ndersektoriale për Mbrojtjen e Konsumatorëve dhe Mbikqyrjen e Tregut". Për këtë qëllim me urdhër të Kryeministrit Sali Berisha, u ngrit Grupi Ndërministror "Për drejtimin dhe monitorimin e zbatimit te reformës, në funksion të përmirësimit të mbrojtjes së konsumatorit dhe të mbikqyrjes së tregut". Grupi Teknik, si dhe një Grup Këshillimi me përfaqësues të shoqatave të konsumatorëve dhe atyre të biznesit dhanë finalizimin e këtij dokumenti strategjik, që është produkti i parë, por shumë i rëndësishËm. Në Strategjinë Ndërsektoriale gjejnë shprehje politikat e qeverise për mbrojtjen e konsumatorëve dhe mbikqyrjen e tregut, duke paraqitur vizionin dhe prioritetet strategjike.
Ky lajm është publikuar: 27/09/2007