E Diel, 1 Nëntor 2026

Rritja e çmimit të grurit, fermerët shtojnë sipërfaqet e mbjella

Autori i Lajmit: Red.Rritja e ndjeshme e çmimit të grurit dhe miellit në tregun vendas dhe atë ndërkombëtar ka shtuar interesin e fermerëve të rrethit të Hasit për kultivimin e kësaj kulture. "Parashikohet që sipërfaqja e mbjellë me grurë të rritet me 50 përqind në krahasim me një vit më parë kur u mboll rreth 800 ha", tha drejtori i zyrës së bujqësisë të rrethit, Rifat Mulaj. Sipas tij, vetëm gjatë 10 ditëve të para të fushatës së grurit është mbjellë me këtë kulturë një sipërfaqe prej mbi 200 ha në shkallë rrethi, ndërkohë që në përfundim të saj kjo sipërfaqe parashikohet të arrijë në 1400 ha. “Fushata e mbjelljes së grurit ende nuk ka nisur në mënyrë masive në të gjitha zonat e rrethit”, tha më tej Mulaj, duke nënvizuar se fushata e mbjelljeve të vjeshtës në këtë rreth përfundon në muajin nëntor. Ai shtoi se po bashkëpunohet me tregtarët për përballimin në rritje të kërkesave të fermerëve për farën e grurit, brenda të gjitha standardeve. Fermerët janë këshilluar që të përdorin farën "Evropo 90" që vjen nga Sllovenia dhe që jep me shumë rendiment në tokat bujqësore të këtij rrethi. “Gjatë kësaj periudhe specialistët tanë po këshillojnë fermerët për mënyrën e mbjelljes dhe kujdesit që duhet të tregojnë për sipërfaqet në të cilat është kultivuar kjo kulturë", tha Mulaj. Pjesa më e madhe e tokës bujqësore në rrethin e Hasit mbillet me grurë. Gjatë këtij viti, megjithë thatësirën e tejzgjatur, rendimenti i grurit ka qenë i kënaqshëm, 35 kv për ha, ndërsa në parcela të veçanta deri në mbi 60 kv për ha.
Ky lajm është publikuar: 27/09/2007

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›