E Shtunë, 31 Tetor 2026

Daci mund të ushtrojë funksione publike

Nga Express më 15 korrik 2011 në ora 15:08

Trupi Gjykues i Gjykatës Supreme të Kosovës, ka anuluar vendimin e shpallur nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë, me të cilin ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës Nexhat Daci, i ndalohej ushtrimi i funksioneve publike, ndërsa obligon atë dhe ish-këshilltarin e tij Ahmet Alishanit, që t’i kompensojnë Kuvendit të Kosovës shumën 1.540 euro për dëmin e shkaktuar nga shpërdori i detyrës zyrtare.

Në një komunikatë të lëshuar nga EULEX-i, njoftohet se trupi gjykues përbehej nga dy gjykatës vendor dhe një i EULEX-it, të cilët kanë konfirmuar akuzën dhe e ka ndryshuar pjesërisht vendimin e shkallës së parë të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë kundër Nexhat Dacit dhe Ahmet Alishanit, të datës 10 nëntor 2010.

“Gjykata supreme e ka modifikuar aktgjykimin e shkallës së parë vetëm për arsye formale, për sa i përket kontributit të Ahmet Alishanit, dhe i ka rishkruar pjesët përkatëse të dispozitivit, deri sa u vërtetua cilësimi i kontributit të Ahmet Alishanit si ndihmë në shpërdorim të detyrës të kryer nga Nexhat Daci. Po ashtu, Gjykata Supreme i urdhëroi të pandehurit që bashkërisht t’ia kompensojnë Kuvendit shumën prej 1.540 euro për dëmin e shkaktuar me këto vepra penale. Ndalimi për Nexhat Dacin që të ushtrojë funksione publike u anulua”, thuhet në komunikatë.

Akuza ndaj Dacit dhe Alishanit kishin të bënin me blerje të pasurisë dhe shërbime me urdhër të Nexhat Dacit, e që u paguan nga buxheti i Kuvendit të Kosovës, kurse u përdorën privatisht.

Gjykata e Qarkut në vitin 2010 e shpalli Nexhat Dacin fajtor për shpërdorim të detyrës dhe e dënoi me një vit e 6 muaj burgim. Ahmet Alishani kishte ndihmuar në këtë vepër penale dhe u dënua me 6 muaj burgim. Të dyja dënimet u patën pezulluar për një periudhë verifikimi prej 2 vitesh. Përveç kësaj, gjykata e kishte shqiptuar ndalimin e ushtrimit të funksionit publik për dy vite pas vuajtjes së dënimit.

Aktgjykim lidhur me ankesën është shpallur më 13 korrik 2011. Aktgjykimi i Gjykatës Supreme është përfundimtar. Kundër këtij vendimi nuk ka ndonjë masë ligjore.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›