16 prej grevistëve kanë marrë këstin e parë

Dëmshpërblimi i të përndjekurve, Ministria e Drejtësisë ka shqyrtuar të gjithë kërkesat
Të gjithë aplikuesit për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë, të cilët kanë përmbushur kriteret ligjore janë trajtuar nga Ministria e Drejtësisë. Që nga viti 2008 janë dorëzuar 20 mijë e 589 kërkesa, nga të cilat 1600 kërkesa nuk plotësojnë kriteret, ndërsa 200 prej tyre janë depozituar jashtë afateve të përcaktuara me ligj.
Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë, Gerdjan Xhanari shprehet se, 16 të përndjekurit që janë në grevë e kanë marrë këstin e parë çka do të thotë se i kanë përfunduar procedurat në Ministrinë e Drejtësisë. Ndërsa 4 të përndjekurit e tjerë në grevë kanë aplikuar jashtë afateve dhe për këtë pritet që draft ligji që pret të miratohet në parlament t’u japë atyre të drejtën e përfitimit. Në total nga qeveria shqiptarë nga viti 2009 e deri tani janë dhënë 6.5 miliardë lekë ose 65 milionë USD. Ministria e Drejtësisë ka miratuar 23 lista të cilat i kanë kaluar ministrisë së financave për procedimin e mëtejshëm për dëmshpërblim.