E Hënë, 2 Nëntor 2026

16 vepra penale mund të zgjidhen jashtëgjyqësisht

28/04/2005  Përgatitet ndërhyrja në legjislacion për të bërë ndryshimet

TIRANË – "Ndërsa në legjislacionin civil, sidomos në atë të familjes e pronës, janë përcaktuar rregulla të qarta për zgjidhjen jashtëgjyqësisht të mosmarrëveshjeve, duke pajtuar palët ose duke përfunduar çështjen në mënyrën e kërkuar nga palët, në legjislacionin penal janë krijuar mundësi për zgjidhjen me pajtim të konflikteve që lindin nga vepra penale me rrezikshmëri të pakët për shoqërinë". Kështu u shpreh ministri i Drejtësisë, Fatmir Xhafaj, në konferencën me temë zgjidhja e konflikteve nëpërmjet ndërmjetësimeve viktimë-kundravajtës, drejtësia restauruese, që po mbahet në datat 27-28 prill.

Konferenca

Konferenca mbahet në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë. Ndërsa organizohet nga Ministria e Drejtësisë, në bashkëpunim me fondacionin “Zgjidhja e konflikteve dhe pajtimi i mosmarrëveshjeve”, Shërbimin Norvegjez të Ndërmjetësimit, Këshillin e Evropës, Ambasadën e Mbretërisë së Norvegjisë në Tiranë, Fondacionit gjerman për Bashkëpunimin Ligjor Ndërkombëtar, fondacionin SOROS si dhe Shkollën e Magjisraturës së Republikës së Shqipërisë. Në këtë konferencë mori pjesë ministri i Drejtësisë, Fatmir Xhafaj, Avokati i Popullit, Emir Dobjani si dhe ekspertë të vendeve të ndryshme të Evropës dhe SHBA-së. “Legjislacioni ynë civil dhe penal, duke qenë i pajtueshëm me standardet më të përparuara demokratike, krijon hapësirat e nevojshme për përdorimin e instrumentave të ndërmjetësimit dhe pajtimit në jetën e njerëzve, në trajtimin dhe zgjidhjen e konflikteve civile apo penale”, tha ministri Xhafaj. Në legjislacionin civil, sidomos atë të familjes e pronës, janë përcaktuar rregulla të qarta për zgjidhjen jashtëgjyqësisht të mosmarrëveshjeve, duke pajtuar palët ose duke e përfunduar gjykimin në mënyrën e kërkuar nga palët, sipas vullnetit të përbashkët të tyre.

Penale

Ndërsa në legjislacionin penal janë rreth 16 vepra penale, të cilat mund të zgjidhen jashtëgjyqësisht. Në praktikën gjyqësore është vërtetuar se shumica e këtyre çështjeve është zgjidhur me pajtim. Për rastet e fyerjes, shpifjes, dhunimit të banesës, dëmtimit të shëndetit, mbi 80 për qind e çështjeve janë pushuar për shkak të pajtimit të palëve në konflikt. “Në planin legjislativ të Ministrisë së Drejtësisë, janë parashikuar ndërhyrje në legjislacionin aktual, që mundësojnë shmangien e gjykimeve dhe dënimeve nëpërmjet zgjidhjes së konflikteve dhe pajtimit të mosmarrëveshjeve. Kemi të bëjmë me një reformë legjislative shumëplanëshe, që synon arritjen e standardeve të përparuara, forcimin e shtetit ligjor dhe garantimin e të drejtave të njeriut”, tha ministri Xhafaj. Një tjetër fushë diskutimi do të jetë kuadri rregullator evropian për ndërmjetësimin e mosmarrëveshjeve civile si dhe raste konkrete të zgjidhjes së konflikteve civile e penale me ndërmjetësim. Nga kjo konferencë pritet të dalin edhe rekomandimet përkatëse, të cilat do të merren parasysh edhe nga institucionet përkatëse për përfshirjen e tyre në legjislacionin vendës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›