Berati kundër Luan Memushit
28/04/2005 Anëtarë dhe simpatizantë të Partisë Socialiste në rrethin e Beratit në një peticion dërguar kryetarit të partisë, Fatos Nano, kanë kërkuar që të mos kenë kandidat për deputet ministrin e Arsimit, Luan Memushi. Anëtarët e PS-së në zonën elektorale numër 77, në letrën dërguar Nanos shpreheshin se “jemi të fyer që na është caktuar kandidat për deputet një njeri si Luan Memushi, i cili nga opinioni dhe nga ata që e njohin, por edhe nga ju si kryetar i partisë është vlerësuar si i paaftë. Ai ka dëmtuar reformën në arsim, duke parë interesin e tij dhe të miqve të tij, duke abuzuar me tendera për ndërtimin dhe riparimin e shkollave. Pse duhet të jetë deputeti jonë?”. Duke shprehur besimin e tyre te kreu i PS-së, anëtarët socialistë të zonës 77 i kanë kërkuar Nanos që në garën elektorale për këtë zonë PS-ja duhet të drejtohet nga një kandidat “që të njohë Beratin, të ketë lidhje me të, dhe t'i dhëmbi për ne”. Në letër është kritikuar dhe mënyra se si është bërë përzgjedhja e kandidatëve pa marrë më parë pëlqimin e bazës, por thjesht janë zbatuar vendimet të ardhura nga lart.