E Hënë, 2 Nëntor 2026

Skenari gjeorgjian e lë Shqipërinë përgjithnjë jashtë BE-së

28/04/2005  Kryetarja e delegacionit të Parlamentit Evropian për Shqipërinë, Federatën serbo–malazeze dhe Bosnje–Hercegovinën, Doris Pack, ka theksuar dje se BE-ja është gjithnjë e shqetësuar për zgjedhjet në Shqipëri, pasi besimi te forcat politike ka humbur. Në lidhje me listën e votuesve, ajo tha se qeveria ka pasur 4 vjet kohë për t'i përgatitur, por është kujtuar në minutën e fundit, duke sjellë një element shqetësues. Nga ana tjetër, ajo thekson se në Shqipëri nuk është e nevojshme një skenar gjeorgjian, pasi, kjo do ta linte përgjithnjë jashtë dyerve të BE-së. Pack ka kërkuar nga votuesit që të mos e lejojnë manipulimin dhe problemet në votat, pasi ata janë garancia e vetme e këtyre zgjedhjeve.

Zonja Pack. Ju që i keni ndjekur të gjitha proceset zgjedhore në Shqipëri, si ndjeheni para zgjedhjeve të ardhshme. Ç`prisni ju nga këto zgjedhje?

Nuk mund të jesh asnjëherë e qetë me ato që ngjasin në Shqipëri në situata zgjedhjesh. Po të vëreni me kujdes, do të shikoni se 4 vjet pas përfundimit të zgjedhjeve të kaluara po konstatohen po të njëjtat parregullsi dhe shqetësime në lidhje me listat e zgjedhësve. A nuk pati 4 vjet kohë qeveria që t’i përgatiste si duhet këto lista, por priti minutën e fundit?! Dhe si mos të jesh e shqetësuar kur shikon gjithë atë luftë mediatike dhe atë shqetësim që është ngjallur në popull për këtë zgjedhje. Në një vend normal, këto zgjedhje do të kalonin me një situatë normale dhe jo me këtë shqetësim që vërehet sot në Shqipëri në të gjitha shtresat e shoqërisë.

Si e shpjegoni ju atëherë, që edhe sot pas 13 vjetësh pluralizëm partitë politike shqiptare nuk janë në gjendje të organizojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme?!

Me dëshirën e udhëheqësve të këtyre partive për të gëzuar frytet e pushtetit. Ata nuk janë të shqetësuar për përparimin e vendit dhe integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, por vetëm për interesat e tyre personale. Prandaj ngjasin vazhdimisht manipulime dhe mashtrime si ato në zgjedhjet e vitit 2001…

Doni të thoni që këto zgjedhje kanë qenë tërësisht të manipuluara?!

Kam përshtypjen se në atë kohë keni deklaruar se socialistët i fituan këto zgjedhje, por e frynë fitoren me mashtrime, në mënyrë që Fatos Nanos t’i plotësohej dëshira për t'u bërë president… ?!

Është krejtësisht e vërtetë. E kam thënë atëherë dhe e përsëris edhe sot, që Partia Socialiste i fitoi zgjedhjet e 2001-shit, por e ekzagjeroi fitoren për të pasur mundësi që kryeministri aktual të bëhej president, duke i bërë kështu dëm të madh procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. Nuk duhej as të përmendej sot si kusht për afrimin e Shqipërisë me BE-në, mbajtja e zgjedhjeve të lira. Vende të tjera si Bosnja apo Kosova, në kushte edhe më të vështira kanë kryer procese zgjedhore ku e ku më të mira se ato në Shqipëri.

Nuk keni frikë se mund të përsëritet një skenar i njëjtë. Pra, që dikush t’i fitojë disi zgjedhjet dhe tjetri t’i kontestojë ato duke ulëritur se i kanë vjedhur votat? Aq më shumë që zgjedhjet në Shqipëri nuk mund të jenë kurrsesi perfekte. Si mund ta parandaloni një përsëritje të këtij skenari?

Ne jemi të gjithë të angazhuar që të mos lejojmë përsëritjen e këtyre farsave. Kur them ne, kam parasysh Bashkimin Evropian, OSBE-në, Këshillin e Evropës etj. Por shpresën kryesore e kemi te njerëzit në Shqipëri. Te vetë votuesit, të cilët nuk duhet të lejojnë t'u vidhet apo nëpërkëmbet vota. Kjo ka të bëjë me të ardhmen e vetë atyre. Mbarëvajtja e zgjedhjeve për popullin shqiptar duhet të jetë më e rëndësishme se vetë rezultati i zgjedhjeve.

Ka 13 vjet që në Shqipëri sundojnë Berisha me Nanon me rezultatet që shihen. Janë po ata të dy që po luftojnë sërish për pushtet. A mund t'u besohet përsëri atyre?! Pra një rotacion normal pushteti, siç ndodh në të gjitha vendet e Botës, a mund të sjellë shpresë për popullin shqiptar?

Unë e kam thënë me kohë çfarë mendoj për Nanon dhe Berishën. Dhe nuk kam ndërmend t’i përsëris sot këto konsiderata. Por mund të them se unë kam qenë shumë entuziaste në fillimet e demokracisë shqiptare. Sidomos në 2 vitet e saj të para dhe e kam mbështetur Berishën, atëherë. Megjithatë nuk e kam kuptuar asnjëherë atë devijim që solli më pas zgjedhjet e kontestuara të 1996 si dhe katastrofën e 1997. Megjithatë mund të them se për Berishën nuk kam dëgjuar nga askush të thotë se është i korruptuar. E kundërta me drejtuesit socialistë, si Meta me Nanon, që kanë akuzuar njëri–tjetrin vazhdimisht si të korruptuar…

A mund të arrijmë atëherë në përfundimin se, sipas jush, një rotacion pushteti mund të sjellë pak shpresë, ndërsa ruajtja e statukuosë do të thotë aspak shpresë?

Jo, nuk e thashë këtë. Mendoj se çdokush mund të ndryshojë për mirë. Mund të nxjerrë mësime nga e kaluara. Unë nuk mund dhe nuk dua të përzihem në politikën shqiptare, në zgjedhjet e popullit shqiptar. Nuk dua dhe nuk mund të influencoj zgjedhësit, të cilët e kanë treguar se janë aq të pjekur sa të bëjnë vetë zgjedhjen që u pëlqen më shumë.

Zonja Pack, duke pasur parasysh eksperiencën e hidhur të zgjedhjeve shqiptare, duke pasur parasysh po ashtu eksperiencën e ndryshimit të pushtetit në Ukrainë, Gjeorgji dhe Kirkiztan, a mund të themi se një skenar i njëjtë ka mundësi të përsëritet edhe në Shqipëri?

Absolutisht jo. Shqipëria nuk ka nevojë për përsëritjen e skenareve alla ukrainase apo gjeorgjiane. Shqipëria, që po troket në portat e Evropës, duhet detyrimisht të zhvillojë zgjedhje të lira, të drejta dhe të ndershme. Çdo skenar tjetër do ta largonte një herë e mirë atë nga Bashkimi Evropian. Dua ta përsëris se ky është shansi i fundit për Shqipërinë. Këtë duhet ta dinë mirë shqiptarët, që nuk duhet ta lejnë veten të manipulohen nga askush. Më me rëndësi se fitorja e njërës apo tjetër palë, për Shqipërinë, bashkësinë ndërkombëtare, Bashkimin Evropian etj., janë mbarëvajtja dhe zhvillimi si duhet i zgjedhjeve dhe njohja e pranimi i rezultatit të tyre nga kushdoqoftë. Këtë duhet ta kenë mirë parasysh të gjithë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›