E Diel, 1 Nëntor 2026

160 studentë shqiptarë, "peng" në portin italian

Vazhdojnë të qëndrojnë të
bllokuar prej 3 ditësh në
një traget në brigjet e Italisë
160 studentë shqiptarë,
të cilët janë gdhirë edhe
sot po aty. Ata kanë mbetur "peng"
në ujërat territoriale të vendit fqinj,
pikërisht në molin katër të Portit të
Vjetër të Triestes, në pritje të një
vendimi të autoriteteve policore
për vazhdimin e udhëtimit, apo
kthimin mbrapsht në Shqipëri.
Gjithsesi, është konfirmuar se sot
në orën 13.00 ata do të nisen drejt
Portit të Durrësit. Ndërkohë, trageti
"Venezia" vazhdon të mbahet
nën kontroll të rreptë nga rojet financiare
italiane dhe hetuesit e
policisë, të cilët kanë arritur të zbulojnë
se disa "studentë" s‘janë aty
për ekskursionin Itali-Slloveni siç
është deklaruar nga organizatorët
(një agjenci turistike) në Ambasadën
Hungareze. Autoritetet policore
u kanë mohuar hyrjen në shtetin
italian, pasi, sipas tyre, ata
nuk i zotërojnë të gjitha garancitë
e kërkuara nga ligji dhe disa prej të
bllokuarve u kanë deklaruar se
destinacioni i tyre ishte Belgjika,
Franca, Spanja, duke krijuar kështu
tek ata dyshime për trafik emigrantësh.
Bllokimi
Në Portin Detar të Durrësit
bëjnë të ditur se trageti "Venezia"
ka mbërritur pasditen e së enjtes
në Portin e Triestes, ku edhe është
bllokuar për shkak të problemeve
në dokumentacion të studentëve
që po lëviznin për një udhëtim turistik.
Sipas policisë kufitare dhe
autoriteteve të tjera që veprojnë
në kufi, si Dogana dhe Financa,
kanë shqyrtuar dokumentacionin
e studentëve që janë nisur dy ditë
më parë nga Porti Detar i Durrësit.
Ata kanë verifikuar vlefshmërinë
e vizës Shengen në pasaportat e të
rinjve shqiptarë të bllokuar, për të
cilën kërkohet plotësimi i kërkesave
të tjera, siç është dhe prenotimi
i hotelit ku do të akomodoheshin
gjatë udhëtimit turistik.
Trageti "Venezia" lundron dy herë
në javë, duke lidhur dy brigjet e
Adriatikut, ndërsa në udhëtimin
e fundit është përballur me situatën
e pazakontë dhe prej tri
ditësh nuk ka mundur t‘i zbarkojë
pasagjerët e vet. Studentët e kanë
kaluar natën mes të enjtes dhe të
premtes në ambientet e tragetit
dhe në të njëjtat kushte kanë kaluar
edhe natën e të premtes. Burime
nga policia kufitare e Durrësit
bëjnë të ditur se të gjithë studentët
kanë qenë të pajisur me viza të
rregullta Shengen, të cilat u kanë
mundësuar imbarkimin në traget
dhe lundrimin drejt Italisë. Përtej
faktit se grupi i studentëve nuk
zotëron dokumente të tjera shoqëruese
për udhëtimin, po verifikohet
dhe në linjë diplomatike
nëse është bërë refuzimi në mes
të udhëtimit i vizave të dhëna
nga Ambasada Hungareze në Tiranë.
Fakt që rezulton i vërtetë.
Të rinjtë ishin nisur për në Slloveni,
për një udhëtim turistik
disaditor, pas pajisjes me viza
nga kjo përfaqësi diplomatike në
vendin tonë.
Situata
Situata psikologjike mes të rinjve
është rënduar orë pas ore, për
shkak të gjendjes së krijuar. Burimet
nga Kapitaneria e Durrësit
thanë se Kapitaneria e Triestes
qëndron në pritje të udhëzimit të
autoriteteve të tjera për të lejuar
vijimin e udhëtimit për studentët
shqiptarë, deri në sqarim të plotë
të çështjes, ose do të autorizojë
kthimin e tyre në Portin e Durrësit,
nga ku u nisën.
Por, përfaqësia hungareze, e
cila ka anuluar vizat e dhëna pikërisht
gjatë kohës që trageti ishte në
lundrim drejt Triestes, ka dhënë
një shpjegim zyrtar për këtë vendim
ekstrem, sipas të cilit agjencia
turistike që ka organizuar guidën
ka gënjyer ose nuk ka paguar biletat
në hotelet që është pretenduar
se do të akomodojë studentët. Vizat
ishin dhënë për një udhëtim turistik
7-ditor, kohë në të cilën studentët
e tre universiteteve private,
UFO, Justinian dhe UET, do të
vizitonin Italinë dhe Slloveninë.
Mësohet se policia italiane ka
zbritur nga trageti të gjithë
pasagjerët e tjerë me dokumente
te rregullta dhe ka kërkuar qëndrimin
në bord të të rinjve shqiptarë
deri në një njoftim të dytë.
Ndërkohë, pasi kanë kaluar më
shumë se 24 orë të izoluar në traget,
të rinjtë dhe pedagogët që i shoqërojnë,
të shqetësuar dhe të stresuar
ngaqë nuk po merrnin asnjë
përgjigje konkrete për fatin e tyre
nga autoritetet italiane, kanë nisur
të bëjnë telefonata në Tiranë.
Kështu, fillimisht janë njoftuar
drejtuesit e universiteteve private
përkatëse dhe më pas familjarët.
Kur është parë se zgjidhja e statusit
të tyre nuk ka marrë drejtim,
kanë kërkuar publikisht ndihmë
nga autoritetet më të larta shqiptare
nëpërmjet lidhjeve telefonike
me televizionet private.
Mbrëmë në orët e vona është konfirmuar
se 160 studentët do të
kthehen sot në shtëpitë e tyre.

Ministria e Jashtme: Do të kthehen sot

Ministria e Punëve të Jashtme
shpërndau dje në
orët e vona të mbrëmjes
një deklaratë për çështjen e bllokimit
për më shumë se 48 orë të 160 studentëve
shqiptarë në një traget në
Trieste, Itali. Njoftimi i hollësishëm
hedh dritë mbi shumë hamendje
për këtë ngjarje që ka stresuar
familjarët e studentëve, por edhe
opinionin shqiptar. Gazeta po e
boton të plotë…
"Ministria e Punëve të Jashtme
është njoftuar mbrëmë nga Konsullata
e Përgjithshme e Republikës së
Shqipërisë në Milano, se një grup
studentësh që do merrnin pjesë në
një udhëtim shtatëditor në Slloveni
dhe Itali janë bllokuar në Portin e Triestes,
sepse vizat Shengen të marra
në Ambasadën e Hungarisë në Tiranë
janë anuluar. Në ndjekje të
këtij problemi është angazhuar
menjëherë Drejtoria e Përgjithshme
e Çështjeve Juridike, Ndërkombëtare
dhe Konsullore, Konsullata
e Përgjithshme në Milano, si dhe
ambasada jonë në Romë. Një nga
konsujt tanë në Milano është dërguar
në Trieste për të ndjekur nga
afër situatën. Sipas informacioneve
të marra në vijimësi nga autoritetet
e Portit të Triestes, nga Ambasada e
Hungarisë në Tiranë dhe nga Ministria
e Punëve të Jashtme në Romë,
rezulton se: Udhëtimi i studentëve
të disa universiteteve private në Tiranë
është ndërmjetësuar dhe organizuar
nga një agjenci private e
udhëtimit. Vizat janë marrë në Ambasadën
e Hungarisë në Tiranë, ku
agjencia ka paraqitur programin e
udhëtimit dhe rezervimet e hoteleve
në Slloveni dhe Itali. Ambasada
e Hungarisë, pasi ka dhënë
vizat, ka marrë njoftimin nga hotelet
se janë kontaktuar nga agjencia,
por rezervimi ose nuk është bërë
efektiv (sepse nuk është kryer pagesa),
ose më vonë është anuluar. Për
pasojë, ambasada e Hungarisë ka
anuluar vizat dhe ka njoftuar kufirin
që të mos lejojë hyrjen në territorin
italian. Pasagjerët kanë marrë
njoftimin e anulimit të vizave vetëm
në mbërritje. Autoritetet e kufirit nuk
i kanë lejuar të zbresin, në pritje për
t‘i kthyer në Shqipëri me të njëjtin
traget. Sipas informacionit që kemi
marrë nga pala italiane, rezulton se
trajtimi i grupit ka qenë normal. Studentët
janë sistemuar në dhoma, u
janë dhënë mbulesa të pastra dhe
ushqim i rregullt. Autoritetet e portit
kanë intervistuar pasagjerët dhe,
sipas informacionit që ambasada
jonë në Romë ka marrë nga Ministria
e Jashtme, disa prej tyre kanë deklaruar
destinacione të tjera (Spanjë,
Francë, Belgjikë) jashtë itinerarit
të deklaruar. Ky fakt e ka rënduar situatën
dhe ka bërë që të merret vendimi
përfundimtar i refuzimit të
hyrjes në territorin italian. Ministria
e Punëve të Jashtme ka udhëzuar
Konsullatën tonë të Përgjithshme
në Milano të ndërmjetësojë me
palën italiane për ta lehtësuar sa
më shumë gjendjen e grupit të studentëve.
Nga i dërguari ynë në Trieste
njoftohemi se komunikimi me
autoritetet e portit është normal
dhe trajtimi i pasagjerëve vijon i
pandryshuar. Pavarësisht përpjekjeve
tona për të përshpejtuar
nisjen për në Shqipëri, trageti largohet
nesër (sot) nga Porti i Triestes
në orën 13.00. Situata po ndiqet në
vijimësi nëpërmjet Ambasadës
sonë në Romë, Konsullatës së
Përgjithshme në Milano dhe të dërguarit
tonë në Trieste".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›