E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rehn: Vendet e Ballkanit kanë perspektivë integruese

Komisioneri për zgjerimin në Bashkimin Evropian, Olli Rehn, konfirmoi dje perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor. "Evropa është e bashkuar dhe e lirë sot. Le ta përfundojmë punën gjithashtu edhe në Evropën Juglindore, pasi parimet e lirisë dhe demokracisë, respektimit të të drejtave dhe lirive njerëzore, ku është i bazuar Bashkimi Evropian, kërkojnë veprim nga ne", u shpreh Rehn në prag të 9 majit, ditës së Evropës. Rehn vuri në dukje se këto vende po bëjnë hapa para në drejtim të afrimit me Bashkimin Evropian. Së pari, ai u ndal te progresi që po bën Serbia gjatë kohëve të fundit. Përtej Serbisë, Rehn tha se në Kosovë po konsolidohet stabiliteti, ndërsa negociatat me Kroacinë janë në drejtimin e duhur. "Mali i Zi dhe Shqipëria kanë përshkuar hapa të tjerë me dërgimin e aplikimeve për statusin e vendit kandidat", vijoi. Rehn u shpreh se negociatat e anëtarësimit pritet të fillojnë së shpejti me Maqedoninë, teksa Bosnjë-Hercegovina ka shënuar progres drejt firmosjes së Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian. "Me zgjedhjet e afërta në Turqi, Brukseli pret që ky shtet të fillojë implementimin e reformave të duhura", theksoi Rehn. Ai sqaroi se krahasuar me rajonet e tjera të botës, Evropa Juglindore gëzon stabilitet politik relativ, që ndikon edhe në perspektivën e saj. Rehn tha se duhet bërë ende shumë punë për të arritur te stabiliteti i pakthyeshëm. "Perspektiva evropiane është provuar të jetë një stimul i fortë në transformimet e Evropës Qendrore dhe Lindore", konstatoi Rehn. Ai insistoi se procesi i zgjerimit është i përqendruar tanimë te vendet e Evropës Juglindore dhe se këto shtete, së bashku me Turqinë, kanë një perspektivë evropiane.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›