Diplomati me drogë, PS akuzon Ministrinë e Jashtme
Kapja e diplomatit shqiptar me 65 kg heroinë u komentua dje nga opozita si skandali i radhës së diplomacisë shqiptare dhe Ministrisë së Jashtme. Deputetët e Partisë Socialiste, Taulant Balla dhe Erion Braçe, theksuan se kjo qeveri ka bërë pjesë të shërbimeve diplomatike dhe konsullore përfaqësues të grupeve kriminale. Sipas Ballës, përfshirja në trafik ndërkombëtar droge e sekretarit të ambasadës sonë në Shkup, pason rastin e shoferit të ambasadorit tonë në Romë, Arsen Selmanllari, i arrestuar nga policia italiane 9 muaj më parë për transport kokaine. Ky pason, tha ai, rastet e shumta të denoncuara publikisht për korrupsion, falsifikime, shpërdorim detyre në njësitë tona konsullore. "Është e turpshme, theksoi Balla, por sakaq një përfshirje e drejtpërdrejtë në përgjegjësi administrative dhe penale ka edhe ministri Lulzim Basha, personi përgjegjës që ka sponsorizuar dhe ngritur këtë rrjet kriminal me imunitet diplomatik. Ndërsa Erion Braçe deklaroi për mediat para godinës së Ministrisë së Jashtme se të rekrutuarit politikë po shkatërrojnë imazhin e Shqipërisë në botë. "Ministria e Jashtme dhe selitë diplomatike po kthehen turpësisht në depozita droge; makinat me targa diplomatike po kthehen në makina droge dhe përfaqësitë në trafikantë droge", nënvizoi para mediave Braçe. Pretendimet e dy deputetëve të opozitës u hodhën poshtë dje nga zëdhënësja e Partisë Demokratike, Erla Mëhilli. Ajo nënvizoi se Partia Demokratike dënon aktin dhe pret nga drejtësia dënimin maksimal. Por, theksoi zëdhënësja Mëhilli, PD-ja i bën thirrje drejtësisë që këtë dënim t‘ua rezervojë edhe atyre që janë kapur për trafiqe femrash apo droge e që sot fshihen në emër të imunitetit, atyre si Balla dhe Braçja e Ramës duhet t‘u hapë dosjet e t‘i vendosë para drejtësisë.