Policia, autorët e vrasjes së Deliut, të njohur të viktimave
Sipas hetuesve, vrasja ka qenë e mirëorganizuar dhe atentatorët kishin informacion të detajuar në lidhje me viktimën e tyre
Policia e Tiranës dyshon se vrasësit e Elton Deliut dhe nënës së tij 52-vjeçare, Flutura, janë persona të njohur të tij. Sipas burimeve nga grupi hetimor, mënyra e ekzekutimit të dy viktimave të bën të mendosh se 32-vjeçari, i cili u kishte hapur vetë atyre derën, kishte njohje me ta. Për më tepër që ekzekutorët kanë pasur shumë informacion për vendndodhjen e orendive të banesës, saqë kanë arritur të marrin nga apartamenti për pak sekonda, pa lënë gjurmë, një disk, në të cilin ishte regjistruar e gjithë skena e krimit, duke mos lënë asnjë të dhënë për hetuesit. Burime nga policia bënë me dije se viktima Elton Deliu, pas atentatit të vitit 2005, kishte punësuar një truprojë, si dhe lëvizte vetëm me makina të blinduara. Ai gjithashtu, para gjashtë muajsh ishte shpërngulur për të jetuar në apartamentin e nënës së tij, Fluturës, 52 vjeçe, e cila u ekzekutuar pak minuta më pas, si dhe me bashkëshorten Ada, e cila është shtatzënë prej tre muajsh. Nisur nga këto, hetuesit kanë dyshime të forta se personat e përfshirë në këtë atentat, kishin njohje të vjetra me 32-vjeçarin.
Atentatorët
Hetuesit ende nuk kanë përcaktuar numrin e saktë të personave që morën pjesë në vrasjen e dyfishtë të së shtunës. Sipas burimeve nga policia, mendohet se ata kanë qenë të paktën dy veta, që kanë marrë pjesë në atentatin ndaj 32-vjeçarin dhe nënë e tij 52-vjeçare. Në një kohë shumë të shkurtër kanë arritur që të mbledhin 12 gëzhoja, duke lënë shumë pak të dhëna për hetuesit, e janë larguar sërish poshtë. Sipas burimeve nga policia, mendohet se ata janë ndihmuar nga të tjerë persona kur janë larguar. Vrasësit kishin informacion të detajuar në lidhje me viktimën e tyre. Atentatorët, sipas policisë, kishin plot një muaj që e kanë pasur në vëzhgim viktimën, Elton Deliu, 32 vjeç. Burime nga policia bënë me dije se atentatorët kanë pasur shumë informacione në lidhje me vendosjen e kamerave, sakaq këta të fundit kanë pasur dijeni edhe se ku ndodhej qendra e kamera, prej së cilës kanë marrë edhe diskun e filmimeve. Kjo ka qenë edhe prova e vetme, e cila tregonte të gjithë skemën e krimit, e cila dyshohet të jetë marrë nga autorët pas vrasjes së dyfishtë.
Kamerat
Mësohet se viktima sapo kishte hyrë në apartament kishte instaluar katër kamera në pallatin ku jetonte. Kamera e parë ishte instaluar në garazhin ku edhe parkonte automjetet, e dyta ishte instaluar në hyrje të pallatit, kamera e tretë ishte instaluar tek ashensori, ndërsa kamera e katërt ishte vendosur tek dera e banesës së tij, në katin e gjashtë, ku edhe jetonte së bashku me familjen. Burime nga policia bënë me dije se atentatorët kanë pasur shumë informacione në lidhje me vendosjen e kamerave, sakaq këta të fundit kanë pasur dijeni edhe se ku ndodhej qendra e kamera, prej së cilës kanë marrë edhe diskun e filmimeve. Kjo ka qenë edhe prova e vetme, e cila tregonte të gjithë skemën e krimit, e cila dyshohet të jetë marrë nga autorët pas vrasjes së dyfishtë.
Pistoletat
Arma e përdorur për vrasjen e Elton Deliut dhe nënës së tij është një pistoletë e llojit “Bereta” 9 mm. Sipas burimeve nga policia, vrasësit e kanë pajisur atë me silenciator, duke bërë të mundur kështu që të mos dëgjohej zhurma e krismave. Ata kanë qëlluar gjithsej 14 herë me pistoletë, ku 11 prej plumbave janë zbrazur ndaj 32-vjeçarit, ndërsa tre të tjerët, ndaj nënës së tij. Pas kryerjes së krimit, vrasësit kanë marrë gëzhojat që ndodheshin në vendngjarje, për të fshehur gjurmët ndaj policisë. Grupi hetimor ka gjetur në vendngjarje vetëm dy gëzhoja, nga 14 të qitura nga arma e krimit.
Makinat
Policia ka sekuestruar edhe tre automjete, të cilat kanë qenë në pronësi të viktimës. Automjetet ishin fuoristadë “Mercedez Benz”, BMW, të cilat përdoreshin nga viktima Deliu. Është sekuestruar edhe mjeti “Audi Q7”, i cili ishte në përdorim nga bashkëshortja e viktimës. Të tria mjetet ishin të blinduara.
Detaje
2 gëzhoja u gjetën në vendngjarje nga 14 të shtëna, të dala nga arma e vrasësve
3 makina të blinduara u sekuestruan nga policia, të cilat ishin në përdorim nga viktima
4 kamera kishte vendosur 32-vjeçari në apartamentin e ri, në të cilin ai banonte
6 muaj kishte viktima që ishte transferuar tek banesa e re, në rrugën “Perlat Rexhepi”