E Shtunë, 31 Tetor 2026

17 mijë hektarë tokë shtesë për ish-pronarët

Ministria e Bujqësisë do të dërgojë se shpejti në qeveri një fond prej 17 mijë hektarësh tokë bujqësore, e cila do të përdoret për kompensimin e ish-pronarëve. Burime pranë kësaj ministrie shprehen për gazetën se ky fond përbëhet nga toka bujqësore që aktualisht nuk janë në përdorim. Këshilli i Ministrave pritet që të miratojë këtë fond javën e ardhshme duke ia kaluar në varësi të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, e cila më pas do t’i përdorë për kompensimin e ish-pronarëve. Fondi fizik pritet që të rritet më tej. Aktualisht, qeveria i ka vënë në dispozicion AKKP-së një fond prej gati 71 mijë hektarësh tokë për kompensim. Nga ana tjetër, ligji për verifikimin e titujve të pronësisë pritet që të rrisë fondin për kompensimin e ish-pronarëve. Tokat, të cilat janë përfituar në mënyrë të pandershme, do të merren sërish nga shteti dhe më pas ato do të përdoren për kompensimin e ish-pronarëve. Nga procesi i ligjit 7501 nuk është ndarë i gjithë fondi i parashikuar, çka mundëson që pjesa e pandarë të kalojë për kompensimin e ish-pronarëve. Ka qenë vetëm ministri Gjana, i cili në një konferencë për shtyp ka deklaruar ekzistencën e këtij fondi fizik. “Pothuajse i kemi përfunduar të gjitha përmirësimet ligjore dhe bërë gati për t’i përcjellë në Këshillin e Ministrave e në Parlament, lidhur me përfundimin dhe kontrollin e procesit të ndarjes së tokës, zbatimin e qiradhënies dhe zbatimin e projekteve koncensionare për sipërfaqet e tokave të refuzuara që kapin një total prej rreth 110 mijë ha, të cilat në gjithë këto vite nuk janë përdorur e shfrytëzuar, sepse kërkojnë shpenzime suplementare”, - është shprehur Gjana. Ai shtoi se në këtë fond nuk bëhet fjalë për tokat shtetërore, të cilat paraqesin interes real në procesin e kompensimit fizik të pronarëve. Ekspertët bëjnë të ditur se për kompensimin e ish-pronarëve nuk do të jenë vetëm pronat në administrimin e Ministrisë së Bujqësisë, por do të ketë të dhëna dhe nga Ministria e Mbrojtjes, Transporteve, Ekonomisë etj. Sipas të dhënave, tokat e refuzuara i janë nënshtruar një kontrolli në 32 rrethe për të përcaktuar se cilat toka janë më të përshtatshme për “Shqipërinë 1 euro” dhe ish-pronarët. Tokat e refuzuara zënë një hapësirë prej 111 mijë hektarësh, nga të cilat specialistët kanë evidentuar prej këtyre 25 mijë hektarë si më të përshtatshmet për të investuar nga investitorët e huaj. Grupi i punës në Kryeministri ka përcaktuar si të nevojshme për paketën “Shqipëria 1 euro” vetëm 1 mijë hektarë, por që toka apo parcelat do të jenë në zonat urbane ose afër tyre. Pavarësisht kësaj, ende nuk ka ndonjë projekt konkret nga paketa “Shqipëria 1 euro” që të kërkojë tokë apo troje për të investuar, çka lë mundësinë që ky fond të shkojë i gjithi për ish-pronarët. Kështu, 24 mijë hektarë tokë të cilësisë së mirë do të jenë të gatshëm për kompensim fizik për ish-pronarët e ligjshëm. Këta 25 mijë hektarë janë shpallur si më të përshtatshëm dhe cilësorë, sepse janë mbi 10 hektarë për parcelë. Sipas specialistëve, pjesa tjetër e tokave janë e totalit prej 111 mijë ha, janë në parcela nën 10 hektarë, pra të papërshtatshme për të investuar, por edhe larg qendrave urbane.

Ish-pronarët: Të rritet pagesa për legalizimin e ndërtimeve

Ish-pronarët shprehen se pagesa për legalizimin e ndërtimeve pa leje është qesharake, ndaj dhe duhet të rritet më tej. Por sipas sekretarit të shoqatës së të shpronësuarve, “Pronësi me Drejtësi”, Rushit Vorpsi, abuzimi qëndron në faktin se zonat e konsideruara informale si Bathorja e Kamza, do të legalizohen me çmime qesharake, ndërkohë që janë pjesë e vijës së verdhë në planin e Tiranës së madhe. Me hyrjen në fuqi të këtij të fundit, ligji aktual i legalizimeve, ndalon një proces të tillë në këto zona. Ish-pronarët shprehen skeptikë se brenda këtij mandati do të konkretizohet kompensimi fizik për këtë kategori.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›