Një e treta e energjisë humbet në rrjet
Instituti i Statistikave ka hartuar raportin mbi efiçencën e energjisë përgjatë gjashtë muajve të parë të vitit. Raporti vëren se 33.3 për qind e energjisë humbet. Humbjet në total në rrjet janë pothuajse në të njëjtin nivel krahasuar me periudhën korresponduese të vitit paraardhës. Sasia e humbjeve totale për gjashtëmujorin e parë 2008 është 1,155 GWh. Ato përbëjnë 33.3 për qind të sasisë së energjisë të disponueshme për përdorim. Humbjet në shpërndarje zënë 91 për qind të sasisë së energjisë të humbur në rrjet. Përdorimi nga konsumatorët është rritur me 13.3 krahasuar me gjashtëmujorin e parë në vitin 2007. Sasia e disponueshme për konsum final arriti vlerën 2,097 GWh dhe përbën 60.4 për qind të sasisë totale të energjisë elektrike për përdorim. Energjia e konsumuar nga sektori i familjes është rritur me 10.9 për qind ndaj sasisë së energjisë elektrike të konsumuar në gjashtëmujorin e parë të vitit 2007. Ky sektor ka konsumuar 56.8 për qind të sasisë së përdorur nga konsumatorët gjithsej. Prodhimi i hidrocentraleve u rrit me 26.3 për qind duke dhënë ndikimin kryesor në rritjen e burimeve të energjisë elektrike.