Tropojë; Asgjësohen 1.040 rrënjë kanabis në Kërnajë
Rreth 1.040 rrënjë kanabis sativa janë asgjësuar pas një aksioni të një dite më parë të forcave të policisë në rrethin e Tropojës. Lajmi është bërë i ditur dje nga burime të policisë lokale, sipas të cilave, operacioni u ndërmor nga policia e Qarkut të Kukësit. Sipas të dhënave, parcelat me bimë narkotike u gjetën në malin e Bobogushit, në fshatin Kërnajë, të Komunës së Tropojës së Vjetër. Sakaq, policia bëri me dije se bimët e mbjella janë gjetur në një sipërfaqe të shpyllëzuar pa pronar toke, duke lënë në hije autorët e mbjelljes së lëndëve narkotike. Burime nga policia e Kukësit bëjnë të ditur se ende nuk ka të arrestuar, ndërsa janë asgjësuar të gjitha rrënjët e zbuluara. Vetëm gjatë dy muajve të fundit, policia e qarkut të Kukësit zbuloi dhe asgjësoi më shumë se 4.370 rrënjë kanabis sativa në rrethin e Tropojës. Aksionet për asgjësimin e kanabisit janë ndjekur nga vetë kreu i policisë së qarkut të Kukësit, Muharrem Cërriku.