E Shtunë, 31 Tetor 2026

17 shkurti në Londër?

Një ndejë shumë e madhe tashmë është duke u përgatitur për nder të dyvjetorit të pavarësisë së Kosovës. Jo në Prishtinë, por midis kryeqytetit britanik, Londër.
Ndeja do t’i mbledhë pranë vete shumë artistë nga Kosova që pritet të udhëtojnë për në Londër.

Por jo vetëm nga Kosova, por edhe shqiptarë që jetojnë në Britani të Madhe dhe në botë. Tashmë dihet se ndeja do të mbahet në The Bloomsbury Ballroom - Victoria House, ndërsa pritet të performojnë emrat si Eda Zari së bashku me Abdel Rhani Krija.
Por e gjitha nuk përfundon me kaq pasi aty pritet të jenë edhe emrat e këngëtarëve si Genc Salihu dhe Man Indicted Band, Ilir Bajri, Visar Kuqi, Nesim Maxhuni, Shpat Deda, bendi The Bloody Foreigners, Utility Dj’s Toton & Faton.

Por këtu nuk përfundon e gjitha pasi organizatorët po presin konfirmimin e ardhjes së një emri shumë të njohur të muzikës britanike, e ai është Paul Weller. Weller ka një lidhje me Kosovën pasi në mars të vitit 1999, ai pati marrë pjesë në organizimin humanitar Kosovo Aid Benefit Party. Weller ka nisë karrierën e tij në mesin e viteve të 70-ta me bendin “The Jam” pastaj me “The Style Council”, ndërsa karriera e tij vazhdoi si solo këngëtar.

Në vitin 2009 Brit Award e kishte shpërblyer atë me çmimin si solo këngëtari më i mirë.
Ndërsa kësaj ndeje do t’i bëjë nder edhe Muhamet Hamiti, ambasador i Kosovës në Britaninë e Madhe si dhe aktorja Arta Dobroshi. Ndërsa me 17 shkurt, fushata the Young Europeans, përmes ueb faqeve speciale Facebook, Twitter, Myspace dhe YouTube, u bën thirrje qytetarëve të botës që t’i dërgojnë urimet e tyre për dyvjetorin e pavarësisë. Njëra prej adresave është www.youtube.com/KosovoYoung. Ndërsa videot më të mira do të përzgjidhen për fushatën e cila do të transmetohet në të gjitha televizionet më të mëdha botërore.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›