E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kujtimet e Ismail Qemalit mbërrijnë në Vlorë

Botimi
Promovohet nga historianët botimi i librit në shqip

Libri “Kujtime” i Ismail Qemalit pas Tiranës është promovuar dje edhe në qytetin e Vlorës. Me këtë rast, në sallën e Teatrit “Petro Marko” u zhvillua një ceremoni organizuar nga Instituti i Librit dhe Promocionit, “Toena”, Bashkia e Vlorës, Shoqata Kulturore Atdhetare “Labëria” dhe “Ismail Qemali”, me rastin e 24 janarit, 166-vjetorit të lindjes dhe 91-vjetorit të vdekjes së Ismail Qemalit.
Irena Toçi, përfaqësuese e Institutit të Librit dhe Promocionit “Toena”, nënvizoi mes të tjerash se në këtë libër të shkruar nga Ismail Qemali, deri në momentet e fundit të jetës së vet, është përshkruar aktiviteti i tij nga 1844 deri në 1910 dhe veçanërisht aktiviteti diplomatik i tij, lidhjet me personalitete të shquara të diplomacisë bashkëkohore. Sipas saj, libri i shtohet fondit të vlerave të historiografisë shqiptare.
Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, theksoi se “Ismail Qemali është shndërruar në një ikonë të historisë së Shqipërisë, në një figurë e shndërruar tashmë në pikë reference për të gjitha momentet historike të vendit tonë”. Libri “Kujtime” i Kryeministrit të parë të Qeverisë së Pavarësisë, themeluesit të shtetit shqiptar, vjen për herë të parë për lexuesin shqiptar, pothuajse një shekull pas botimit të tij në Londër. Akademiku Jorgo Bulo tha se botimi i tij në gjuhën shqipe është një ngjarje për kulturën dhe një homazh për vetë Ismail Qemalin. “Ajo është një vepër e rrallë në llojin e vet, sepse memorialistika është një zhanër pothuajse i palëvruar nga personalitetet e historisë, të kulturës dhe të Rilindjes shqiptare”, saktëson Bulo. Ndërsa për prof.dr.Arben Puto, libri i Ismail Qemalit, që ka ardhur plotësisht i saktë nga origjinali anglisht në gjuhën shqipe, përbën edhe një eveniment për shkencat historike. Duke ju përgjigjur pyetjes së përse “Kujtime” nuk është botuar më parë, as në periudhën e Mbretit Zog dhe as në atë të regjimit komunist, Puto thotë se “ai është një libër që jep një tablo impresionuese të karrierës së Ismail Qemalit në perandorinë otomane”, gjë që sipas tij, mund të cenonte ndoshta figurën e Kryeministrit të Pavarësisë. Ndërkohë, për prof.dr.Bardhosh Gaçen, me emrin e Ismail Qemalit lidhet fundi i perandorisë otomane dhe fillimi i shtetit shqiptar. Duke qenë nxënës në gjimnazin “Zosimea” në Janinë, Ismail Qemali studioi krah figurave të tjera të shquara të historisë e kulturës shqiptare, ndërkohë që u njoh edhe me teoritë liberale të personaliteteve të filozofisë. “Mësova të jetoja me frymën e lirisë së botës së vjetër antike, ku u njoha me idetë liberale të Volterit e Rusoit”, shkruan mes të tjerash Ismail Qemali për këtë periudhë të jetës së tij në “Kujtime”.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›