Amos Oz, në një Rrëfim për dashurinë dhe errësirën
Libri
Shkrimtari izraelit vjen për lexuesit përmes një autobiografie
Amos Oz flet sërish shqip me veprën e tij “Rrëfim për dashurinë dhe errësirën”. Këto ditë, “Skanderbeg Books” nxori në treg një nga veprat më të rëndësishme të autorit izraelit. “Rrëfim për dashurinë dhe errësirën” vjen pas botimit në shqip të romanit “Të njohësh një grua”, libër që u prit me shumë interes nga lexuesi shqiptar. Pas kësaj, Oz do të jetë i pranishëm me një tjetër vepër në tregun shqiptar, romanin “Mikaeli im”. “Rrëfim për dashurinë dhe errësirën”, i botuar në 41 gjuhë të botës, është cilësuar nga kritika si një ndër librat më të rrallë autobiografikë të shkruar ndonjëherë. Libri është një sagë familjare. është historia e një fëmije që rritet në një qytet të ndarë nga lufta, si Jerusalemi i mesit të shekullit të kaluar, në një apartament të ngushtë, i mbytur përreth tij nga librat në gati dymbëdhjetë gjuhë dhe moria e po aq gjuhëve të folura nga njerëzit përreth tij, gjyshërit, prindërit dhe të afërmit. është historia e një adoleshenti, jeta e të cilit ndryshoi pas vetëvrasjes së të ëmës, kur ai ishte një fëmijë dymbëdhjetëvjeçar. është historia e një burri, i cili jetoi mes kundërshtive të familjes dhe pirgut të ëndrrave të tij, mes shkollarëve dhe pasunarëve të rrënuar, një burri që ndërron mbiemrin, e një burri që adhuron familjen, për të pohuar një aksiomë se “familja është institucioni më i mistershëm dhe më tërheqës në botë”. është historia e një shkrimtari që bëhet pjesëtar aktiv në jetën politike të atdheut të tij e që ndalet të rrëfejë këtë histori tronditëse. “Rrëfim për dashurinë dhe errësirën” është një libër tragjik, komik dhe pafundësisht transparent, një libër i shitur dhe i lexuar nga miliona lexues në të gjithë botën. është autoportreti i një shkrimtari që jeta e shtyu të ishte dëshmitar i lindjes së një atdheu që ende jeton përmes historisë së tij të turbullt.
#