Neziraj në Kanada

Në kohën kur ende nuk dihet një buxhet i saktë i Teatrit Kombëtar, drejtori artistik i këtij teatri, Jeton Neziraj, fluturon tej oqeanit. Por buxheti nuk është punë e tij.
Neziraj do të vizitojë Calgaryn e Kanadasë, ku thuhet se është ftuar zyrtarisht në një vizitë dhjetë ditore nga Alberta Playwrights Network dhe nga teatro e institucione të tjera kulturore të këtij shteti.
“Konsideroj që vënia e kontakteve dhe bashkëpunimi potencial me teatro e institucione teatrore jashtë Kosovës është i rëndësishëm, posaçërisht në këtë fazë në të cilën ndodhet teatri i Kosovës. Dhe këtë fazë unë e definoj si fazë të 'tranzicionit estetik'. Respektivisht, fazë ku krijuesit teatror kosovarë janë në një përpjekje intensive për të gjetur ato impulset estetike të teatrit të sotëm bashkëkohor”, është shprehur Neziraj.
Si duket, sipas tij, këto impulse janë 'çakorduar' dhe humbur, siç u shpreh ai, nga ajo shkëputja e madhe që kemi pasur para lufte, por edhe nga burokracia, korrupsioni, padija dhe injoranca që ka shoqëruar institucionet dhe krijuesit teatror në Kosove gjatë këtyre viteve të pasluftës.
Neziraj planifikohet të takohet me Kelly Reay, Drejtor Artistik i “Sage Theatre”, pastaj me Drejtorin artistik të “Downstage rehersal”, Simon Mallett, Drejtorin Artistik të “High Performance”, Michael Green, drejtuesit e “Vertigo Theatre”, Mark Bellamy dhe Nathan Pronyshyn. Në këtë drejtim, ai mendon se ballafaqimi potencial me përvoja tjera teatrore nuk e lëndon, përkundrazi e stimulon jetën teatrore në Kosovë.
“Shpresoj që kjo vizitë ka me prodhu bashkëpunim konkret”, tha ai. Vizitat e Nezirajt do të vazhdojnë në Universitetin e Calgary-t, po ashtu edhe në Big Secret Theatre dhe Grand Theatre. Një takim tjetër i tij do të jetë me dramaturgen kanadeze Sharon Pollock, drama e së cilës është përkthyer së fundi në shqip dhe do të ketë premierën këtë vit në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Neziraj do ta mbajë edhe një prezantim me temën “Teatri në Kosovë- para dhe pas luftës”.