Një koncert për pakicat në jug të vendit
Sarandë
E diela u është kushtuar minoriteteve
Një ditë për artin e minoriteteve. Nën këtë moto, e diela në qytetin jugor të Sarandës u ka takuar pakicave. Në skenën e kinoteatrit të qytetit u organizua një aktivitet për pakicat etnike që ekzistojnë e bashkëjetojnë në vendin tonë. Iniciator për këtë dëshmi vlerash u bë Komiteti Shtetëror i Minoriteteve, pranë Këshillit të Ministrave. Me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit dhe asaj të Kulturës, një koncert i përbashkët vlerash takoi pakicat serbo-malazeze që jetojnë në Shkodër, pakicat maqedonase që jetojnë buzë Prespës, pakicat greke që jetojnë në Dropullin e Gjirokastrës e Vurgun e Sarandës, si dhe pakicat rome nga çuka e Sarandës, ato vllahe nga Korça e Erseka. 170 artistë dhe qindra spektatorë kishin mbushur sallën e kinoteatrit “Butrinti”. Kostandina Bezhani, kryetare e Komitetit Shtetëror të Minoriteteve u shpreh se “gjithçka është në kuadër të programit të vlerësimit, evidentimit të identitetit kulturor dhe përmirësimit të jetës së çdo minoriteti. Nënprefekti i Sarandës, Gjergji Mano, tha se “për pakica flitet shpesh me numra, ndërkohë që ato janë realitete, elementë të bashkësive të tëra”. Mano ka theksuar se në Sarandë dhe Delvinë gjithashtu ekzistojnë këto minoritete dhe qeverisjet vendore kujdesen t’i evidentojnë ato kulturalisht. Ai e ka konkretizuar këtë vëmendje duke iu referuar një axhende aktivitetesh që do të zhvillohen në muajin mars, aktivitet që kthen vëmendjen nga pakicat greke, rome, arumune. Bardhyl Londo, në emër të MTKRS-së, ka bërë të ditur ngritjen për herë të parë në Ministrinë e Kulturës të një sektori që merret me kulturën e minoriteteve, ndërkohë që një sektor tjetër merret me diversitetin fetar, duke treguar se prej dy muajsh kjo ministri e ka fituar këtë dimension të ri. Londo u shpreh se “minoritetet shërbejnë si urë lidhëse mes qeverisë dhe komuniteteve të ndryshme”. Programi i Ditës Minoriteteve është hapur me potpuri nga shoqata e pakicave kombëtare serbo-malazeze, “Moraca-Rozafa”, ardhur nga Shkodra, të cilin e ka prezantuar kryetari i saj, Pavlo Jakoja. Në fjalën e tij ai është shprehur: “Shqipëria duhet të jetë e kënaqur që ka brenda vetes disa kultura, pasi ne e zbukurojmë kulturën shqiptare”.
#