17 të vrarë pas sulmit në një kishë në Nigeri

Të paktën 17 persona janë vrarë në një sulm të armatosur të kryer ndaj një kishe në qendër të Nigerisë, kanë njoftuar autoritetet lokale.
Persona të armatosur bastisën kishën në afërsi të qytetit të Okenes, në shtetin e Kogit, dhe qëlluan ndaj personave që ndodheshin aty.
“Mund të konfirmoj se janë 17 të vdekur”, ka deklaruar një zëdhënës i guvernatorit të shtetit të Kogit, Jacob Edi, për agjencinë e lajmeve “AFP”.
Ende nuk dihet se kush e kreu sulmin, por grupi islamik militant Boko Haram ka marrë përsipër përgjegjësinë për sulme të shumta të ngjashme ndaj kishave dhe objekteve të tjera të kultit në Nigeri.
Komandanti i forcave të armatosura, toger-koloneli Gabriel Olorunyomi, tha se prifti i kishës është mes personave të vrarë nga sulmi i armatosur.
Ndërkohë, shërbimet e emergjencës u kanë ardhur në ndihmë të plagosurve, të cilët janë dërguar në spitale të ndryshme.