Prokurori kërkon 3 vjet burg për 'Pussy Riot'

Një prokuror në Moskë ka kërkuar dënimin me tre vjet burg për tri anëtaret e grupit ‘punk’ Pussy Riot, që prej ditësh është në qendër të vëmendjes.
Në mbështetje të grupit ka dalë edhe këngëtarja e mirënjohur Madonna, e cila ndodhet në Moskë për një koncert të sajin.
Tre të rejat akuzohen për rrugaçëri dhe për urrejtje fetare, për shkak të lutjes anti-Putin në katedralen e Moskës, në muajin shkurt.
“Shpresoj që gjyqtari të tregojë mëshirë dhe që ato të lirohen së shpejti”, ka thënë Madonna, duke u bashkuar me yjet e tjerë të muzikës që janë rreshtuar përkrah Pussy Riot.
Ndërkohë, ditën e diel një tjetër grup muzikor, pas Pussy Riot, u arrestua në Rusi pasi këndoi një këngë-protestë kundër presidentit Putin. Bëhet fjalë për grupin rep Makulatura, dy anëtarët e të cilit po performonin në parkun Bauman gjatë një festivali rinor.