17 vite tranzicion në pesë filma artistikë
• Gjithçka ndërtohet në 17 vite tranzicion. Çdo histori, çdo ngjarje... Mund të jetë një ditë e zakonshme, si sot! Mjafton ta kthesh dhjetë vite para.ANILA MEMAÇdo subjekt i shkruar në skenarët e fundit të paraqitur në Qendrën Kombëtare Kinematografike vërtiten rreth këtyre viteve. Në mbledhjen e ditës së premte, bordi artistik i Qendrës Kinematografike Kombëtare, që përzgjedh filmat artistik, ka gjykuar mbi pjesëmarrjen që është paraqitur pranë QKK-së për këtë vit. Nga dhjetë projekte të paraqitura për sesionin e filmit artistik me metrazh të shkurtër, janë përzgjedhur vetëm pesë prej tyre. Ndërsa dy priten të shqyrtohen në mbledhjen e ardhshme të këtij bordi për t’i dhënë vendin e kohën që kërkojnë në dispozicion këto projekte. Sipas burimeve pranë QKK-së, mësohet se për vitin 2008, bordi i përfaqësuar nga kryetari i sapozgjedhur i tij, shkrimtari e opinionisti Kiço Blushi, ka përzgjedhur pesë vepra, tema në përgjithësi e së cilave përfaqëson gjithë tranzicionin e psikologjisë së ndërthurur me atë shpirtërore që ka ndodhur brenda këtij 17-vjeçari te populli shqiptar. Projektet e përzgjedhura janë “Dita e parë e shkollës”, një projekt i paraqitur në QKK me skenar të dramaturgut Stefan Çapaliku dhe me regji të Dionis Papadhimitrit. Një tjetër projekt është “Në përvjetorin e parë të martesës”. Është një projekt artistik, skenarin e së cilit e ka shkruar Vladimir Prifti, ndërkohë regjia e tij mban emrin Artan Malaj. “Të gjithë qajnë” është projekti i tretë që është shkruar dhe mban regjinë e Jonid Jorgjit. Ndërkohë projekti i katërt titullohet “Ngjarje në traget”. Një histori e shkruar nga regjisori dhe njëkohësisht drejtori i Arkivit Qendror të Filmit, Artan Minarolli, por që kësaj here paraqitet me regji të Klement Karunit. Ndërkohë projekti i pesë që bordi prej shtatë vetash ka përzgjedhur për këtë vit, është ai me titull “Mira”. Një subjekt i shkruar nga amerikani Mavlyn Horonytz dhe me regji të Dhimitër Ismailajt. Këto janë ato çka bordi, i cili përbëhet nga kryetari Kiço Blushi, aktori Ndriçim Xhepa, regjisori Ylli Pepo, aktorja Elvira Diamanti, publicisti dhe gazetari Fatos Baxhaku, drejtori i Teatrit Kombëtar dhe aktori Kristaq Skrami si dhe producenti Todi Bozo. Ndërkohë ky bord që bën përzgjedhjen e filmit artistik, si atë me metrazh të gjatë, si filmin artistik me metrazh të shkurtër apo edhe atë alternativë nga këto dhjetë projekte, kanë veçuar edhe dy prej tyre, si dy projekte të tjerë me vlerë dramaturgjike, por që e kalojnë hapësirën e filmit me metrazh të shkurtër. Sipas të njëjtave burime, mësohet se këto projekte janë lënë për t’u gjykuar në një kohë tjetër, ndoshta pas dy muajsh për sesionin e filmave alternativë. “Janë filma që nuk mund të bëhen në 20 a 25 minuta. Ato duan të paktën një orë, ndaj dhe do të gjykohen sërish”, janë shprehur për gazetën. Një prej këtyre projekteve është ai me titull “Aut of touch”, i shkruar nga bashkëskenaristët Andi Deliana e Enkel Demi dhe me regji të andi Delianës. Ndërkohë projekti i dytë që është lënë për shqyrtim të dytë është ai me titull “Fillon diku” me skenar dhe regji të Iris Elezit. Buxheti i QKK, që shkon për këto projekte të sapozgjedhura është 170 milionë lekë të vjetra. Ndërkohë nga vendimi i marrë ditën e premte, të pestë projektet e aprovuara që ditën e hënë mund të fillojnë të nënshkruajnë kontratë me QKK për të nisur nga puna. Projektet e aprovuara
“Dita e parë e shkollës”, skenari Stefan Çapaliku, regjia Dionis Papadhimitri
“Në përvjetorin e parë të martesës”, skenari Vladimir Prifti, regjia Artan Malaj
“Të gjithë qajnë”, skenari dhe regjia Jonid Jorgji
“Ngjarje në traget”, skenari Artan Minarolli, regjia Klement Karuni
“Mira”, skenari Mavlyn Horonytz, regjia Dhimitër Ismailaj