Peqin, zbulohet frigoriferi me shtatë celularë brenda
• Bllokohet frigoriferi me 7 celularë brenda, të destinuar për një të dënuar të sigurisë së lartë në Peqin.PEQIN/ Fatos Mahmutaj Sipas burimeve zyrtare nga burgu i Peqinit, paraditen e djeshme, Prokuroria e Elbasanit ka dokumentuar me detaje ngjarjen, ndërsa ka nisur procedimin penal për të burgosurin dhe familjarët e tij. Gjithçka ka nisur tri ditë më parë, më 14 shkurt, kur familjarët e të dënuarit të sigurisë së lartë, Fatos Selmani nga Fushë-Kruja, i dënuar për grabitje me armë, i kanë sjellë një frigorifer dhe ua kanë dorëzuar autoriteteve të burgut për t’ia dërguar në qeli. Paraditen e djeshme sendet e dorëzuara për të burgosurit u janë nënshtruar një kontrolli të imtësishëm nga punonjësit e burgut, para se t’iu dorëzoheshin të dënuarve sipas inventarit. Fakti që frigoriferi është vonuar për të mbërritur në qeli, ishte koha e pamjaftueshme e punonjësve të burgut për të kontrolluar të gjitha sendet e të dënuarve, pasi me rastin e Shën Valentinit nëpër burgje pati nga një takim shtesë dhe për pasojë një sasi më të madhe sendesh dhe ushqimesh. Fillimisht në paretet e frigoriferit është zbuluar një celular, ndërsa më pas janë gjetur edhe gjashtë të tjerë, të gjithë të fshehur me kujdes në të. Burime nga burgu pohojnë se bashkë me celularët, që rezultuan të ishin të markave të mira, ndodheshin edhe karikuesit e baterive të tyre. Pas sekuestrimit të sendeve të ndaluara, janë vënë në dijeni krerët e burgut, të cilët kanë njoftuar Prokurorinë e Elbasanit. Një prokuror ka mbërritur në burg dhe pasi ka kryer veprimet e duhura hetimore, ka nisur çështjen penale ndaj të burgosurit dhe familjarëve të tij nën akuzën e futjes së sendeve të paligjshme në qeli. Mësohet se vetë i dënuari Selmani e ka mohuar akuzën, duke pretenduar se nuk kishte dijeni për celularët në frigorifer. Gjatë kontrolleve të policisë së burgjeve janë kapur mjaft celularë në qelitë e të dënuarve, ndërsa këta të fundit kanë pohuar gjithmonë se i kanë siguruar nëpërmjet korruptimit të policëve, ndërsa dje rezultoi e kundërta. Ishin familjarët e të dënuarve ata që po dërgonin celularët në qelinë e të afërmit të tyre. Pritet që Prokuroria e Elbasanit të njoftojë Policinë Gjyqësore të Fushë-Krujës për t’iu komunikuar çështjen penale të afërmve të burgosurit të dënuar.Zbulohen në burg 9 celularëBURREL - Një kontroll i befasishëm në ambientet e qelive të të dënuarve në Burgun e Sigurisë së Lartë në Burrel, zbulon brenda ditës 9 telefona celularë. Vetëm pak orë pas kapjes së dy shkodranëve që tentonin të fusnin drogë brenda hekurave, Policia e Burgjeve ka nisur një aksion për gjetjen dhe sekuestrimin e sendeve të ndaluara në këtë burg. Celulari i parë i është gjetur Kujtim Barbullushit, i dënuar për vrasje ndërsa i fundit është gjetur dje në mesditë, mirëpo emri i të dënuarit nuk është bërë publik nga Drejtoria e Burgjeve. Prej kohësh flitej se në Burgun e Burrelit disa nga të dënuarit dispononin celularë, të futur në rrugë të paligjshme në qeli. Të afërm të dënuarve dhe punonjës të burgut akuzohen se kanë arritur të dërgojnë në qeli celularë. Dy janë faktet e bëra publike për praninë e celularëve në këtë burg. Një i dënuar kërcënonte nga qelitë e Burrelit një qytetar nga Durrësi. Ndërkohë celulari i Kujtim Barbullushit u gjet nëpërmjet një sms-je që policia i dërgoi atij me anë të celularit të kunatit të tij, i cili u kap ndërsa përpiqej t’i fuste një sasi marihuane në burg. e.d