E Shtunë, 31 Tetor 2026

E refuzoi e dashura në Shën Valentin,kapet me drogë studenti kryeqytetas

• TIRANE – Fakti që e dashura nuk kishte pranuar të dilte me të në festën e të dashuruarve, ka detyruar një 18-vjeçar, student në kryeqytet të blinte hashash për të larguar stresin, por ka përfunduar në qeli. Gjykata e Tiranës vendosi dje masën e sigurisë “20 ditë burg” për 18-vjeçarin M.Mile, i akuzuar për “shpërndarje narkotikësh”, kohë e mjaftueshme kjo për Laboratorin e Kriminalistikës për të përcaktuar nëse lënda e kapur është apo jo narkotike. Sipas përfaqësuesit të akuzës, studenti i vitit të parë u kap mbrëmjen e 13 shkurtit, në rrugën “Arkitekt Kasemi”, ndërsa kishte me vete një sasi prej 12 gramësh lëndë narkotike. Kjo sasi e dyshuar si kanabis sativa, u sekuestrua dhe tashmë është dërguar për ekspertizë në Laboratorin e Kriminalistikës. Vetë i pandehuri para gjykatës e pranoi faktin se lënda që iu kap atij ishte hashash dhe se e kishte blerë për të larguar stresin, pasi e dashura i kishte thënë se nuk do dilte me të për Shën Valentinin. “Nuk pata mënyrë tjetër për të ngushëlluar veten, tha ai, veçse të blija drogë dhe të dehesha me të”. “Në momentin që më arrestuan, sapo e kisha blerë drogën”, pohoi studenti para gjyqtares së gatshme, ndërsa mbrojtësi i tij kërkoi një masë më të lehtë sigurie. Sipas avokatit, gjykata duhet të vlerësonte si rrethanën lehtësuese faktin që lënda narkotike ishte e destinuar për përdorim vetjak. Ndërsa prokurori kërkoi masën shtrënguese me pretendimin se sasia e drogës që iu kap atij nuk justifikonte vetëpërdorimin, pasi, sipas tij, ajo ishte shumë e madhe.   fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›