E Shtunë, 31 Tetor 2026

Identifikohen dy skafistët e kanabisit

• SARANDE – Policia e Sarandës ka identifikuar dy skafistët që po tentonin të nisnin një sasi të konsiderueshme kanabisi drejt ishullit të Korfuzit.Shefi i Komisariatit të Policisë Sarandë, Viktor Agaj, tha se policia kishte dijeni për këtë rast trafiku, pasi kishte rreth 10 ditë që ishte vënë në gjurmim të tij, për ta finalizuar atë mbrëmjen e së premtes. Në vendngjarje u bllokuan të gjitha provat materiale, një sasi prej 300 kg kanabis sativa, skafi 5 metra i gjatë, i pajisur me një motor “Yamaha” prej 250 kuaj fuqi. Skafistët, të cilët mendohen të ishin dy, kanë mundur të largohen duke përfituar nga errësira, terreni malor e shkëmbor, por edhe nga një pyll i dendur që ndodhet mbi Gjirin e Manastirit. Megjithatë, ata janë identifikuar nga policia, por emrat e tyre nuk bëhen të ditur për arsye hetimi. Nga ana e policisë, është ushtruar kontroll në data-base e saj, në lidhje me dokumentacionin e skafit, por ky i fundit nuk rezulton të jetë i regjistruar në Kapitanerinë e Sarandës dhe dyshohet se ai edhe mund të jetë sjellë nga Greqia për t’u shfrytëzuar për trafiqe. Skafi është sekuestruar dhe aktualisht ndodhet i ankoruar në portin e Sarandës.         sh.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›