Agjentët e antidrogës kapin shqiptarin me 3 kile kokainë
• ÇEKI – Një shtetas shqiptar dhe një çek u arrestuan dje me akuzën e trafikut të kokainës në Ostrava, pas një operacioni antidrogë të policisë çeke.Policia çeke mësohet se kishte filluar hetimet pas informacioneve të marra nga policia polake për trafikun e drogës. Gjatë aksionit janë sekuestruar 3 kilogramë kokainë, e cila ishte shpërndarë në 60 mijë doza. Sipas sektorit të antidrogës në policinë çeke, shtetasi vendas që u arrestua është një 27-vjeçar, kurse shqiptari që ka rënë në pranga është 36 vjeç, ndërsa emrat e tyre nuk bëhen të ditur për shkaqe të hetimit. Prokuroria çeke filloi hetimet për aktivitetin kriminal të dy personave të arrestuar, të cilët po merren në pyetje nga oficerët e antidrogës. Kokaina e sekuestruar mësohet se ishte e destinuar të shpërndahej në klubet e natës në Ostrava. Dyshohet se rrjeti i shpërndarjes së drogës është i shtrirë edhe në qytetet e Karvinës, Olomouc, Moravia dhe në Pragë. Policia çeke po bashkëpunon me autoritetet polake, pasi dyshohet se bëhet fjalë për trafikim ndërkombëtar të kokainës.