Korrupsioni, ndalohet ish-pedagogia
• Ndalohet nga policia pedagogia me akuzën e korrupsionit.Dashamir Biçaku Arjana Kita, 64 vjeçe, banuese në Qytetin Studenti në Tiranë, me profesion pedagoge në një universitet privat, është ndaluar të premten në mbrëmje nga agjentët e Sektorit të Antikorrupsionit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. E ndaluara akuzohet se kishte premtuar punësimin e një kolegeje më të re se ajo në moshë në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja si dhe mundësimin e studimeve pranë këtij fakulteti për dy studente. Në tri rastet dyshohet se pedagogia e ndaluar ka marrë nga 500 euro prej secilit nga të interesuarit. “Shërbimi” që kryente gruaja, duhej shpërblyer me shifrën e 500 eurove, ose të 500 mijë lekëve të vjetra. E ndaluara ishte në pension, por vazhdonte veprimtarinë akademike në një universitet privat në Tiranë prej pak vitesh. Ajo, në fakt, duhej të ishte arrestuar për akuzën e ngritur ndaj saj, por për shkak të moshës mbi 64 vjeçe, u vendos të ndiqej penalisht në gjendje të lirë”, tha për gazetën “Panorama” një zyrtar i Seksionit të Antikrimit Ekonomik në policinë e Tiranës. Hetues të policisë bënë të ditur se ata kanë nisur procedimin penal nga dy kallëzues, ndërsa duket se për të fituar të drejtën e studimit shuma prej 500 mijë lekësh të vjetra konsiderohej simbolike. Mësohet se është një tjetër person në hetim për pjesëmarrje në veprimet korruptive të pedagoges. Personi i dyshuar për bashkëpunim mësohet se ka qenë në shkallë të lartë hierarkike në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja më parë, por që aktualisht nuk qëndron më në të njëjtat pozicione, pasi është larguar nga detyra.PedagogiaArjana Kita, një ish-volejbolliste, trajnere volejbolli dhe koordinatore e bibliotekave të Universitetit të Tiranës, është ndaluar në ambientet e sekretarisë së Fakultetit të Gjuhëve të Huaja. Të premten në mesditë ajo është paraqitur në fakultet, ndërsa pak ditë më parë, kishte marrë miratimin se kandidatët e pajtuar prej saj duhej të pranoheshin në shkollë. Sapo është futur në sekretari dhe ka nisur të bisedojë me një punonjës aty, dy agjentë të Antikrimit Ekonomik i kanë vënë prangat gruas dhe e kanë dërguar në polici. Sipas hetuesve, ish-punonjësja e Universitetit të Tiranës po interesohej për regjistrimin e dy studentëve, të cilëve u kishte marrë nga 50 mijë lekë të reja secilit në formë ryshfeti. Ajo akuzohet për kryerjen e veprimeve korruptive dhe mashtrimit, duke iu ofruar personave të tretë mundësinë për t’u punësuar apo për të ndjekur studimet në këtë fakultet. Gruaja ka pranuar se kishte kryer veprimet korruptive, ndërsa është munduar ta ndajë fajin edhe me persona të tjerë. Dy javë më parë mësohet se ka nisur hetimi penal ndaj Arjana Kitës, një ish-punonjëse e konsideruar veterane në Universitetin e Tiranës. Agjentët dhe oficerët e Antikorrupsionit kishin mundur të merrnin të dhëna për veprimet që po përgatitej të kryente, për të përfituar para. Hetuesit kanë mundur të sigurojnë kallëzimet e dy personave, identitet e të cilëve nuk janë bërë publike. Gjatë marrjes së këtyre deklarimeve është mësuar se gruaja u ka kërkuar dy personave që kërkonin të nisnin studimet e vonuara në universitet, nga 50 mijë lekë të reja. Ata kanë pranuar pa hezitim të jepnin paratë, me shpresën se do të realizohej qëllimi i tyre. Arjana Kita i është futur punës për të çuar në fund porosinë. Gjithsesi ende nuk dihet nëse kjo është një situatë e stimuluar nga policia, apo është një situatë korrupsioni që ka qenë e pranishme edhe më parë në këtë fakultet. Falë lidhjeve të saj, të krijuara gjatë kohës që ka punuar në universitet, 64-vjeçarja Kita ka marrë përsipër të mbaronte punë, por që tashmë duhet të nisë të mendojë se si t’ia hedhë pa mbërritur në qelitë e burgut.