17-vjeçari Kapino në planet e Interit
Klubi milanez interesohet për portierin shqiptar të Panathinaikosit, i cili ka debutuar në moshën 17-vjeçare me kombëtaren greke
E ardhmja i përket atij. Kjo thënie e portierëve më të njohur, që kanë luajtur në Greqi, për portierin shqiptar të Panathinaikosit, duket se nuk u përket vetëm atyre.
Paraqitjet e portierit 17-vjeçar nuk kanë kaluar pa u vënë re. Interi duket se ka treguar interes për marrjen e Stefan Kapinos, madje paraqitet i gatshëm që të afrojë 2 milionë euro te të gjelbrit. Sipas gazetës Derby, drejtuesit e Interit kanë komunikuar me homologët e Panathinaikosit dhe shprehën interesimin e tyre për portierin 17-vjeçar.
Po kur dhe si e zbuloi klubi i madh djaloshin e ardhur nga Shqipëria? Mbase pa u futur në thellësi të këtij problemi , flet shumë edhe ky titull i këtij shkrimi Nga… kopshti i fëmijve në clasicon e tij. Ky djalë, që e filloi karrierën e tij nga ekipi modest Aeto e Koridhalos, shpejtoi dhe nuk priti 18-vjetorin e lindjes që të dilte nga guacka e vet. Mosha madhore e tij ndodhi brenda pak muajsh, gjatë të cilëve arriti të bëhej portier bazë i Panathinaikosit, lojtari më i ri i kombëtares në historinë e futbollit grek dhe heroi i një derbi të shekullorëve.
Zbulimi i djaloshit
Kur në vjeshtën e vitit 2008, para një stërvitjeje në Peanaia (qendra stërvitore e Panathinikosit), atëherë thuajse e boshatisur për shkak të mungesës së lojtarëve të kombëtares, Henk Ten Kate, trajneri holandez i Panathinaikosit, i bërtiti Vasilis Aleksudhisit për prezencën e papritur të 14-vjeçarit Stefano Kapino në skuadrën e parë, duke i thënë se këtu nuk është kopsht fëmijësh dhe kënd lojërash, as që nuk e imagjinonte se tre vjet më vonë Kapino do të shpallej njeriu i mbrëmjes në derbim e madh Olimpiakos-Panathinaikos.
Dhe, nëse mbrëmjen e së dielës në Holandë trajneri 57-vjeçar do ta kishte shikuar nepërmjet ekranit, sigurisht do të ndihej i penduar. Ashtu siç do të ishte penduar kur do të lexonte gazeten e e tij të preferuar Derby, e cila bën të ditur ofertën që i ka ardhur vogëlushit nga një prej klubeve në të njohura të Europës, Inter i Milanos.
Për fatin e mirë të Kapinos, Aleskudhis atëherë i kishte thënë Ten Katesë se Panathinaikosi bën mirë të investojë dalëngadalë te djemtë e vet dhe holandezi i vështirë tha po, duke hapur rrugën për ngritjen graduale të portierit të ri në skuadrën profesioniste. Në këto tre vjet Kapino punoi shumë, qëndroi i thjeshtë edhe kur nënshkroi kontratën e parë profesioniste (2009) dhe filloi javë më javë të tërheqë mbi vete shikimet e të gjithë familjes së Panathinaikos dhe jo vetëm, duke pasur në mendjen e tij vetëm një gjë: sigurimin e vendit në formacionin bazë.
Dhe siç është e natyrshme kur diçka e dëshiron shumë, i gjithë rruzulli të ndihmon që tia arrish. Koha solli para tij shansin e madh dhe Kapino ishte atje që ta rrëmbente.
Derbi me Olimpiakos ishte testi i madh për 17-vjeçarin, i cili jo vetëm iu përgjigj shkëlqyeshëm, por tregoi se ka mundësinë që të ngrejë peshën dhe përgjegjësinë e fanellës dhe postit. Përgatitja e veçantë psikologjike para ndeshjes me Fererën (trajnerin portugez, i cili bisedoi për shumë orë me të, duke i shpjeguar kurthet e derbit) zuri vend dhe Kapino hyri i pari për nxemje si… egërsirë.
Pa kuptuar asgjë nga lazerat, tymçet dhe çfarëdo tjetër u hodh nga tribuna e tifozëve të organizuar të Olimpiakos, ai ndaloi për rreth 10-15 sekonda para portës, i pa në sy dhe u tregoi se nuk mposhtet. Kjo ishte! Derbi tashmë ishte i tij.
Aktivizimi me Greqinë
Nuk vonoi shumë dhe një tjetër portugez, Fernando Santos, i kombëtares greke të futbollit, dëshironte ta njihte më nga afër portierin e talentuar, që me formën e tij të shkëlqyer i kishte mahnitur të gjithë. Në dy-tre ndeshje që e vëzhgova, më ka mrekulluar. Dua ta njoh nga afër dhe ai të fillojë të marrë përvojë nga kombëtarja.
Kështu tha Santos dhe nuk vonoi. Pikërisht një muaj më parë, më saktë me 15 nëntor, ai i besoi 17-vjeçarit çelësat e portës së kombëtares greke. Në ndeshjen e Rumani Greqi, e zhvilluar pikërisht me këtë datë, Stefano Kapino ishte numri 1 i kombëtares blu, skuadrës që siguroi ndër të parat një vend midis finalistëve të Euro 2012.
Interesimi i Interit
Italianët janë entuziazmuar me paraqitjet e Kapinos dhe janë të gatshëm të ofrojnë 2 milionë euro për ta marrë. Drejtuesit e Panathinaikos duket se u janë përgjigjur negativisht njerëzve të Interit, duke thënë se lojtari nuk është në shitje, por në rast se Interi do të bëjë kërkesë zyrtare prej 2 milionë eurosh, Panathinaikos vështirë se do ta refuzojë. Sipas të njëjtit artikull, skuterët e neraxurrëve e kanë vëzhguar Kapinon në derbin me AEK-un.
Skuadra e Milanos ka lajmëruar edhe drejtuesit e Panathinaikos se është e gatshme të afrojë 2 milionë euro për ta marrë. Ndërsa edhe vetë Kapino ka dijeni për këtë rast. Po çfarë thotë 17-vjeçari? Stefan Kapino nuk merret me skenarët për Interin dhe mendon vetëm ti përkushtohet Panathinaikosit dhe kombëtares greke. Megjithatë, përtej njohjeve të tij të pakta, falë moshës së re që gëzon, jashtë skenave të lojës, luhen skenarë të ndryshëm.
Nuk është rastësi që për të shkroi në fillim gazeta e njohur britanike Daily Telegraf. Është interesant fakti se të gjithë menaxherët që janë paraqitur sivjet në ndeshjet e Panathinaikos kanë shënuar emrin e tij në bllokun e tyre. Me sa duket, një prej tyre duket të jetë Interi.
