173 milionë euro për rrugët lokale
Qeveria miraton marrëveshjen e huas ndërmjet Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për financimin e projektit të rrugëve rajonale dhe lokale. Qeveria ka ndërmarrë realizimin e një projekti "rrugët dytësore dhe lokale", me një vlerë prej 300-400 milion dollarë. "Objektivi i këtij projekti është të përmirësojë përqasjen ndaj shërbimeve kryesore dhe tregjeve nëpërmjet lehtësimit të qarkullimit gjatë gjithë vitit për qytetarët, duke përfshirë përmirësimin e segmenteve prioritare të rrjetit rrugor rajonal, përmirësimin e segmenteve prioritare të rrjetit lokal dhe forcimin e menaxhimit të rrjetit të rrugëve rajonale dhe lokale", thuhet në sitin e Këshillit të Ministrave. Projekti do të bashkëfinancohet respektivisht me 50 milion euro nga BERZH; 50 milion euro nga BEI, 33 milion euro nga fondet e IPA dhe një grant 40 milion euro FIBP.