Kuvendi miraton kandidaturën e Spiro Koçit si ambasador në SHBA
Komisioni Parlamentar i Politikës së Jashtme miraton kandidaturën e Spiro Koçit, si Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Disa ditë më parë, komisioni i Politikës së Jashtme shqyrtoi kandidaturën e paraqitur nga ana e Ministrisë së Jashtme, e mbështetur dhe nga kryeministri, që në postin e ambasadorit të vendit tonë të caktohej diplomati i karrierës, Spiro Koçi. Në mbledhjen e zhvilluar pasdite të disa ditëve më parë, komisioni ka zhvilluar seancën tradicionale, "hiring", ku i pranishëm ka qenë vetë i propozuar për këtë post të rëndësishëm në trupin diplomatik shqiptar. Sipas burimeve, mësohet se kandidatura e tij është miratuar pa rezerva nga ana e deputetëve të maxhorancës në komisionin parlamentar të Ligjeve. Emri i tij mësohet se i është dërguar Presidentit të Republikës, Bamir Topi, për t'u dekretuar. Aktualisht Koçi ka punuar si sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme. Në korrik të vitit 2007, emri i tij u përmend në tryezën e negociatave të partive për zgjedhjen e Presidentit të vendit. Emri i tij u propozua nga PD-ja si kandidaturë konsensuale për postin e Presidentit të vendit. Kandidatura e propozuar për ambasador do të zëvendësojë Aleksandër Sallabandën, i cili u propozua katër vite më parë nga maxhoranca e djathtë si diplomat në SHBA. Kandidatura e tij, pati asaj kohe kontestime nga ana e opozitës në komisionin parlamentar të Jashtëm, pasi nuk vinte nga bota diplomatike. Fillimisht kryeministri Berisha propozoi emrin e Edi Harxhit, si Ambasadore e Shqipërisë në SHBA. Por emri i saj u rrëzua nga ana e Presidentit të atëhershëm, Alfred Moisiu. Spiro Koçi është emri i dytë si ambasador që propozohet nga ana e Qeverisë "Berisha II". Një muaj më parë, komisioni parlamentar i Politikës së Jashtme miratoi kandidaturën e Kastriot Robos, i paraqitur nga ana e Ministrisë së Jashtme si Ambasador në Mbretërinë e Spanjës. Në këtë periudhë pritet që të Qeveria të realizojë edhe ndryshime të tjera të ambasadorëve, pasi iu mbaron mandati i tyre.