Topi firmos Legalizimet e Moratoriumin
BLEDAR HOTI
Presidenti Bamir Topi firmos dekretet pro 4 ligjeve të miratuara nga ana e Kuvendit të Shqipërisë. Ndër ligjet e firmosura përfshihet rivendosja e moratoriumit të mjeteve motorike lundruese në zonat bregdetare shqiptare. Moratoriumi do të jetë në fuqi edhe për tri vitet e ardhshme. Qeveria e cilësoi si mjaft të domosdoshëm rivendosjen e moratoriumit të skafeve dhe të gjitha mjeteve të tjera motorike lundruese, me qëllim realizimin e procesit e integrimit evropian dhe të anëtarësimit në BE. Mësohet gjithashtu se Presidenti ka firmosur edhe ligjin "Për mbrojtjen nga diskriminimi". Në këtë ligj parashikohet mbrojtja nga diskriminimi dhe të personave që janë homoseksualë. Ligj tjetër i firmosur nga numri një i shtetit shqiptar, është dhe ai "Për mënyrën dhe procedurat e vendosjes dhe kalimit të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë, si dhe për dërgimin e forcave ushtarake shqiptare jashtë vendit". Me këtë nismë, Kuvendit i hiqet kompetenca për dhënien e vendimit për dërgimin e trupave ushtarake me misione jashtë Shqipërisë.
Legalizimet
Sipas njoftimit për shtyp, kreu i shtetit ka dhënë dakortësinë e tij dhe për ligjin e ndryshuar së fundmi "Për legalizimin, urbanizimin e integrimin e ndërtimeve pa leje". Në këtë ligj parashikohet që pagesa në procesin e legalizimit në zonat informale të realizohet mbi anën e bonove të privatizimit. Bëjnë përjashtim nga ky rregull, objektet informale me destinacion social-ekonomik apo që shfrytëzohen sipas këtij destinacioni, dhe shtesat informale në objekte me leje. Përqindjet e përdorimit të bonove të privatizimit, ndahen sipas vendndodhjes së objektit informal dhe sipas sipërfaqes së parcelës që kalon në pronësi të poseduesit të ndërtimit informal. Për objektet pa leje në zona informale, jashtë vijës kufizuese të ndërtimit, për sipërfaqe të parcelës nga 1-500 m², poseduesit e objektit mund të paguajnë deri 70% të vlerës me bono privatizimi. Për pjesën e sipërfaqes së parcelës mbi 500 m², e cila llogaritet me çmimin e tregut në çastin e kalimit të pronësisë, ky rregull nuk aplikohet.
Për objektet informale, të ngritura brenda vijës kufizuese të ndërtimit, brenda vijës së verdhë, për sipërfaqe të parcelës nga 1-300 m², poseduesit e objektit mund të paguajnë deri 70% të vlerës me bono privatizimi. Për parcela ndërtimore me sipërfaqe mbi 300 m², vlera e të cilave llogaritet me çmimin e tregut në çastin e kalimit të pronësisë, pagesa mund të kryhet për deri 50% të vlerës me bono privatizimi. Ligji parashikon përfitimin e lehtësive të parashikuara në të, edhe për poseduesit e objekteve informale, që kanë kryer pagesa të mëparshme, të parcelës ndërtimore të objektit. Këta subjekte, për të përfituar nga e drejta e pagesës me bono privatizimi për pjesën e mbetur, apo për rikthimin e shumave të paguara në lekë, në këmbim të bonove të privatizimit, kanë të drejtë që brenda 3 muajve nga data e hyrjes në fuqi të ligjit, nr 10219 "Për disa shtesa në ligjin nr.9482, datë 3.4.2006, "Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje" të ndryshuar, të paraqesin kërkesë me shkrim pranë ALUIZNI-t.
Dekretet e Presidentit
• Për shpalljen e ligjit nr. 10 221 datë 04.02.2010 "Për mbrojtjen nga diskriminimi".
• Për shpalljen e ligjit nr. 10 220, datë 04.02.2010 "Për shpalljen e moratoriumit për mjetet motorike lundruese të Republikës së Shqipërisë".
• Për shpalljen e ligjit nr. 10 219, datë 04.02.2010 "Për disa shtesa në ligjin nr. 9482, datë 03.04.2006 "Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje", të ndryshuar.
• Për shpalljen e ligjit nr. 10 218, datë 04.02.2010 "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9363, datë 24.03.2005 "Për mënyrën dhe procedurat e vendosjes dhe kalimit të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë, si dhe për dërgimin e forcave ushtarake shqiptare jashtë vendit".