E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kurbin, nxënësi 14-vjeçar godet drejtorin e shkollës



KURBIN/ ROLAND NIKOLLI

Nxënësi i klasës së nëntë rreh drejtorin e shkollës. Ngjarja e pazakontë ndodhi të premten e kaluar në shkollën e fshatit Gorre të komunës Fushëkuqe në Kurbin. Drejtori 60-vjeçar, Xhemal Martinaj u godit me grushte nga nxënësi I.R., duke pësuar fraktura në kokë e fytyrë.
Incidenti u shënua në mes të klasës, gjatë kohës kur Drejtoria zhvillonte një mbledhje urgjente me klasën e nëntë, për shkak të ankesave të mësuesve për sjelljet agresive të nxënësve të tyre. Dhuna e paprecedentë e një nxënësi ndaj drejtorit të shkollës ka bërë që mësuesit të ngrihen në protestë për përjashtimin e 14-vjeçarit. "Drejtoria zhvilloi të premten një mbledhje me klasën e 9-të B, pasi ajo kishte sjellë vazhdimisht probleme, duke mos lënë mësuesit të zhvillonin mësim. Sapo nisi mbledhja nxënësi I. R u ngjit mbi bankë. Drejtoi Martinaj i kërkoi të ulej në karrige, por nxënësi iu përgjigj se nuk kishte ku të ulej. Ndonëse ai në të vërtetë e kishte një karrige, një mësuese u ngrit dhe i dha atij karrigen e saj vetëm e vetëm që të qetësohej situata", u shpreh mësuesi Nikollë Marnoj. Prej dy ditësh kjo shkollë nuk po zhvillon mësim, pasi mësuesit nuk pranojnë të futen në shkollë nëse 14-vjeçari do të vazhdojë të jetë nxënës i tyre. Sipas mësuesve, drejtori Martinaj, në momentin kur nxënësi po krijonte situata të pahijshme në sy të bashkëmoshatarëve të tij, i kërkoi të ulej në karrige për të vazhduar mbledhjen. Por I.R., është irrituar më shumë dhe iu vërsul krejt papritur drejtorit të shkollës, duke e qëlluar atë disa herë me grushte. Sipas mësuesve, 60-vjeçari pësoi fraktura të rënda dhe u nxi në fytyrë. "Ndërhymë me shpejtësi, pasi sjellja e nxënësit ishte tepër agresive. Mbledhja u prish", pohuan mësuesit. Ndërsa zv. drejtoresha Prena Marku u shpreh se: "Protesta është organizuar nga ana e sindikatës së mësuesve. Ne si drejtori ia kemi bërë prezent shqetësimin tonë Drejtorisë Arsimore në Kurbin, ku presim edhe reagimin e saj. Mësuesit kanë bërë një peticionin për largimin e nxënësit në një shkollë tjetër. Në të kundërt, ata nuk rinisin mësimin". Në shkollën e Gorresë mësohet se janë 400 nxënës, të cilët prej dy ditësh u kthyen mbrapsht pa zhvilluar mësim. Shkolla ka 13 klasa me 20 mësues dhe punon në dy turne, ndërsa klasa e 9-të B, ku ndodhi incidenti ka 32 nxënës. Mësohet se I.R ka qenë më parë në shkollën e fshatit Gurrëz, por për shkak të sjelljeve agresive me stafin pedagogjik ai është përjashtuar prej saj. Ai u transferua në një tjetër shkollë, atë të Gorresë duke shpresuar se sjella e tij do të përmirësohej.

Drejtoria Arsimore
Dje mësuesit protestues u takuan me përfaqësuesin e Drejtorisë Arsimore, Ndue Preçi, i cili u kërkoi fillimin e mësimit. "Kam ardhur pasi mësuam se shkolla e Gorresë ka ndërprerë mësimin. Ne do marrim masat dhe mendoj që do gjejmë një zgjidhje që mësimi të rinisë", u shpreh ai. Aktualisht, Xhemal Martinaj ndodhet me regjim shtrati në shtëpi dhe nuk ka pranuar të prononcohet, pasi është i nxirë. "E njëjta situatë sikur i ndodhi Xhemal Martinaj mund të na ndodhë edhe ne mësuesve të tjerë. Klasa ku ndodhi incidenti është e vetmja e shkatërruar, që thyhen xhamat apo bankat. Si mund të vazhdojmë ne mësimin në të tilla kushte, kur rrihen edhe mësuesit dhe askush nuk mban përgjegjësi?" u shpreh Nikoll Marnoj, mësues në këtë shkollë. Sipas tij, drejtori nuk mund të vijë në këtë shkollë, pasi ndihet i ofenduar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›