20 mars 2008- Topalli: Vizita e Ministres Bakojanis, një etapë e re në marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve. Bakojanis: Greqia mbështetje të plotë Shqipërisë në proceset integruese.
Vizita juaj, tha Kryetarja e Kuvendit, shënon padyshim një etapë të re në marrëdhëniet shumë të mira mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Zonja Topalli shprehu mirënjohjen dhe falënderimet për mbështetjen që Qeveria greke i ka dhënë Shqipërisë, mbështetje që u ofrua e mënjëhershme edhe në ngjarjen tragjike të Gërdecit.
Zonja Topalli dhe zonja Bakojanis biseduan mbi zhvillimet në Shqipëri dhe rajon, duke ndarë mendimin për intensifikim të dialogut politik në nivele shumë të larta
Është një lajm i mirë, tha zonja Topalli, deklarata juaj se Parlamentit grek do të ratifikojë MSA-në Shqipëri-BE menjëherë pas Pashkëve. Marrëdhëniet shumë të mira mes dy parlamenteve tona jam e bindur se do të njohin një stad të ri në një vizitë të pritshme të Kryetarit të Parlamentit grek Sioufas, në përgjigje të ftesës sime për një vizitë zyrtare në Shqipëri.
Nga ana e saj, zonja Bakojanis shprehu kënaqësinë që ndodhet në këtë vizitë në Shqipëri, duke garantuar se mbështetja e Greqisë do të vijojë të jetë e plotë dhe e gjithanshme në proceset integruese të Shqipërisë në BE dhe NATO.
Qeveria dhe Parlamenti shqiptar, tha zonja Topalli, janë të angazhuar plotësisht në reformat integruese në strukturat Euro-Atlantike dhe jemi të bindur se mbështetja e Greqisë për marrjen e ftesën për anëtarësim në NATO nuk do të na mungojë.
Kryetarja e Kuvendit e njohu shkurtimisht zonjën Bakojanis me reformat e fundit dhe me ligjet e rëndësishme të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë në ekonomi, drejtësi, arsim e shëndetësi, si dhe me punën e bërë në përmbyllje të reformës zgjedhore.
Duke u ndalur në reformat fiskale, zonja Topalli tha se, pas reduktimit të taksave, rritjes ekonomike prej 6 për qind, inicitaivat për lehtësimin e procedurave për licensimin e bizneseve, Shqipëria ka krijuar klimën e duhur për thithjen e investimeve të huaja.
Do të ishte një kënaqësi, tha zonja Bakojanis, tju shoh në një vizitë të afërt tuajën në Greqi, jo vetëm për rritjen e marrëdhënieve mes dy parlamenteve, por edhe për dinamizimin e bashkëpunimit mes grave në politikë.